Vendosni fjalën kyçe....

Netanyahu: Izraeli do të luftojë me militantët e Hamasit edhe në Rafah


Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu rikonfirmoi të dielën se ushtria do të nis një operacion edhe në qytetin kufitar Rafah, për të luftuar me militantët e Hamasit.

Komentet e tij vijnë ndërsa janë rritur shqetësimet se futja e forcave tokësore në këtë qytet do të shkaktonte një situatë edhe më dëshpëruese për palestinezët që kanë gjetur strehim aty, duke iu larguar zonave ku po kryhen luftime.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha të dielën se Izraeli ka shkatërruar shumicën e forcave tokësore të Hamasit, por ai theksoi se ushtria do të “merret” edhe me ato që kanë mbetur në Gazën jugore, përfshirë qytetin në kufi me Egjiptin, Rafahun, ku shumë palestinezë kanë gjetur strehim.

Në Tel Aviv, zoti Netanyahu tha në një mbledhje të kabinetit të tij se ushtria ka shkatërruar 17 nga 24 batalionet e Hamasit.

Ai tha se forcat e ushtrisë po punonin gjithashtu për të shkatërruar tunelet nëntokësore, një operacion që sipas tij do të kërkonte më shumë kohë. Sa i përket pengjeve, kryeministri izraelit tha se po punonet për lirimin e tyre dhe se ai nuk do të pranonte çdo marrëveshje.

“Përpjekjet për lirimin e pengjeve vazhdojnë. Siç e theksova edhe në mbledhjen e kabinetit, ne nuk do të pajtohemi me çdo marrëveshje dhe jo me çdo lloj kushti. Shumë gjëra që thuhen në media sikur ne jemi pajtuar me to, si për shembull lirimin e terroristëve, nuk janë të vërteta”, tha ai.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se futja e forcave tokësore izraelite në qytetin Rafah do të ishte tepër dëshpëruese për mijëra njerëz janë zhvendosur aty nga qyteti Khan Younis dhe pjesë të tjera të Gazës jugore, ndërsa lufta Izrael-Hamas po vazhdon. Një sulm izraelit me dron goditi një makinë civile të dielën, tha një dëshmitar okular për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Po ashtu këtë të dielë kamionët që transportonin ndihma humanitare hynë në Rripin e Gazës përmes pikë-kalimit kufitar në qytetin Rafah.

Dorëzimi i ndihmave shumë të nevojshme për 2.3 milionë banorët e Gazës është ndërlikuar pas vendimit të disa vendeve për të ndërprerë fondet për agjencinë e ndihmave UNWRA.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore njoftuan se kishin pezulluar kontributet për agjencinë, pasi Izraeli zbuloi se 12 nga punonjësit e agjencisë morën pjesë në sulmet terroriste të 7 tetorit në Izrael.

Po ashtu shumë ekspertë thonë se nëse lufta e Izraelit kundër Hamasit do të zhvendoset në qytetin Rafah, një ofensivë e tillë mund t’i shtyjë refugjatët në Egjipt, duke rritur edhe më tej tensionet.

Lufta në Gazë ka rrafshuar pjesë të mëdha të territorit të vogël, ka zhvendosur 85% të popullsisë ndërsa një e katërta e saj po vuan nga uria.

Lufta shpërtheu më 7 tetor, kur luftëtarët e Hamasit kaluan në Izrael, duke vrarë rreth 1200 persona dhe duke marrë peng 250 të tjerë.

Sulmi i Hamasit shkaktoi një fushatë tokësore dhe ajrore izraelite që ka vrarë më shumë se 27,000 palestinezë, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë, që drejtohen po nga Hamasi.

Izraeli thotë se është i vendosur të shkatërrojë Hamasin dhe ta parandalojë kthimin e tij në pushtet në Gazë, një territor që grupi e sunduar që nga viti 2007./VOA