Vendosni fjalën kyçe....

Rasti i dytë në 10 ditë, kapet 34-vjeçari që mbante gruan mbyllur në banesë, e ruante me kamera


Një tjetër rast i rëndë dhune në familjeje ka ndodhur në Tiranë. Një 34-vjeçar mbyllte gruan e tij në banesë dhe kishte instaluar kamera për ta vëzhguar. Madje i ushtronte edhe dhunë fizike.

Ai u ndalonte komunikimin me persona të tjerë, si dhe ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike.

Siç shihet në këtë foto, dallohen tre kamera të instaluara brenda në banesë me të cilat vëzhgonte gruan. 34-vjeçari është arrestuar nga policia.

“Falë reagimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale, në një familje.

Mbylli në banesë, bashkëshorten e tij, të cilën e mbikëqyrte me kamera, si dhe ushtroi dhunë ndaj saj, kapet dhe vihet në pranga 34-vjeçari.  

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas informacionit të marrë se një shtetas kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, si dhe e mbante të mbyllur atë, në monitorimin e kamerave që i kishte instaluar brenda në banesë, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit të dyshuar, përpara përgjegjësisë penale. 

Si rezultat, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 u arrestua shtetasi A. M., 34 vjeç, banues në Kodër Institut.  

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se 34-vjeçari ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, të cilën e mbante të mbyllur në banesën e tyre ku kishte montuar kamera për të monitoruar lëvizjet e saj.    

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Kujtojmë që 10 ditë më parë për të njëjtën vepër penale u arrestua  në Tiranë  Jetnor Zhaboli, 35-vjeç, ku mbante të mbyllur në banesë nënën, bashkëshorten dhe vajzën e tij të mitur.

Ndërkohë gjykata penale e dënoi atë me 20 ditë burg. 

“Gjithçka e kam bërë për të mbrojtur fëmijët e mi pasi kisha frikë për ta”, është shpreh ai para trupit gjykues.