Ish-presidenti i Kilit Sebastián Piñera ka vdekur në një aksident me helikopter në jug të vendit, ka thënë qeveria.
Ministrja e Brendshme, Carolina Tohá, konfirmoi vdekjen e 74-vjeçarit, i cili mbajti detyrën nga 2010 në 2014 dhe nga 2018 në 2022.
Tre pasagjerë i mbijetuan rrëzimit të helikopterit në qytetin Lago Ranco. Tohá tha se trupi i Piñera ishte gjetur, përcjell The Guardian.
Piñera, i cili ishte gjithashtu një biznesmen i suksesshëm, mbikëqyri rritjen e shpejtë ekonomike dhe një rënie të madhe të papunësisë gjatë presidencës së tij të parë, në një kohë kur shumë nga partnerët tregtarë dhe fqinjët e Kilit po përballeshin me vështirësi ekonomike.
Presidenca e tij e dytë u shënua nga protesta të dhunshme kundër pabarazisë që çuan në akuza për shkelje të të drejtave të njeriut dhe përfunduan me premtimin e qeverisë për hartimin e një kushtetute të re.
Piñera mbikëqyri gjithashtu përgjigjen e Kilit ndaj Covid, e cila përfshinte një nga normat më të shpejta të vaksinimit në botë.
Një nga pikat më të larta të administratës së tij të parë, e shpallur shpesh nga vetë Piñera, ishte shpëtimi spektakolar në vitin 2010 i 33 minatorëve të bllokuar nën shkretëtirën Atacama. Ngjarja u bë një sensacion mediatik global dhe ishte subjekt i një filmi të vitit 2014, The 33.
Piñera ishte i martuar me Cecilia Morel, me të cilën kishte katër fëmijë.