Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka pasur një mesazh për të gjithë efektivët e rinj që u bënë pjesë e radhëve të Policisë së Shtetit. Mesazhi i ministrit të Brendshëm u përqendruar te zbatimi i ligjit, për të cilin thotë se efektivët e rij do duhet ta zbatojnë me përgjegjësi. Balla u kërkoi që të luftojnë krimin dhe shkelësit e ligjit t’i çojnë para drejtësisë.
“Duke filluar nga nesër, secilit prej Jush do t’i duhet të marrë vendime të vështira. Do të duhet t’i merrni këto vendime sepse detyra e policimit është në radhë të parë përgjegjësi dhe në ushtrimin e kësaj përgjegjësie do të duhet të zbatoni ligjin, të hetoni dhe parandaloni krimin, të mbroni qytetarët dhe t’i çoni shkelësit e ligjit përpara drejtësisë.
Detyra që keni marrë përsipër do të jetë shpesh herë sfiduese, fizikisht dhe psikologjikisht. Ajo do t’iu vërë përpara sprovave, dilemave dhe zgjedhjeve edhe komplekse, që prekin jetën e njerëzve.
Të vendosësh se çfarë duhet të bësh nuk është aspak e lehtë. Por, mos harroni asnjëherë se uniforma që mbani veshur nuk përfaqëson thjesht organizatën e policisë; ajo është simbol i besimit që Shteti dhe publiku ka vendosur tek ju”, tha Balla.
Balla uroi që policët e rinj të udhëhiqe nga tre parime të rëndësishme.
“Uroj të udhëhiqeni përherë nga parimet e ligjshmërisë, integritetit dhe respektit për uniformën dhe qytetarët në detyrën tuaj, të ndërgjegjshëm mbi ndikimin dhe rëndësinë që veprimet tuaja do të kenë për jetën e atyre që u shërbeni, por edhe për imazhin e organizatës”, tha Balla.
Ai u ndal edhe tek programi i qeverisë për banesat sociale për punonjësit e policisë, ku qeveria ofron kredi me zero përqind interes, si edhe te rritja e pagës që do të prekë edhe Policinë e Shtetit.
“Reformimi dhe vetë-pastrimi i brendshëm, investimet në teknologji e infrastrukturë, angazhimi i Qeverisë për të mbështetur rritjen e pagave në mënyrë të ndjeshme këtë vit, janë hapa të rëndësishëm në synimin tonë për të patur një shërbim policor të duhur, për Shqipërinë kampion e Ballkanit në turizëm dhe jo vetëm në turizëm. Paralelisht, do të vijojmë me zbatimin e programit për strehim për familjet e reja të policëve”, tha Balla.