Ministri i Drejtësisë Manja tha se ishte i gatshëm të pranonte propozimet e PD-së së Bashës të bëra nga Alibeaj për aministinë fiskale.
Propozimi përfshin periudhën 1 tetor 2018-31 dhjetor 2020 për personat të cilët janë në ndjekje penale ose procese gjyqësore.
Manja mori pjesë në mbledhjen online të Komisionit të Ligjeve ku tha se bëhet fjalë për rreth 100 protestues që plotësojnë kushtet e lartpërmendura, të cilët janë të dënuar, kryesisht me shërbim prove.
“Organizimi i grumbullimeve e manifestime të paligjshme me pjesëmarrje të paligjshme të personave të armatosur, pra 261, 262, 263 që kanë të bëjnë me tubimet. Nga të dhënat që disponojmë janë afërsisht 100 persona të dënuar, kryesisht me shërbim prove. Në variantin sic është përfitojnë 2500 persona që janë në shërbim prove dhe përfshihet dhe kjo kategori. Ajo që ka të bëjë me ndjekjen penale, sepse një pjesë janë ende në hetim apo në gjykim dhe nuk ka marrë vendimi I formës së prerë. Kemi kërkuar të dhëna për këtë kategori shumë shpejt do e vëmë në dispozicion. Janë në kategori përfituese. Lidhur me ndjekjen penale do e shohim amendamentin që ka depozituar Alibeaj por jam dakord që kjo kategori personash qoftë të dënuar apo në ndjekje penale që kanë të bëjnë me liri politike të qytetarëve pse jo nëse merr votën e deputetëve nuk kemi kundërshtim.” – tha Manja.
Më herët Alibeaj tha se përmes propozimeve të bëra synoheshin të mbroheshin protestuesit e opozitës në protestat e Bregut të Lumit, Astirit, Shkozës, Teatrit Kombëtar, studentët dhe qytetarët që protestuan pas vrasjes së Klodian Rashës.