Vendosni fjalën kyçe....

Kapaciteti mendor i Joe Biden nuk e përballon dot postin e tij


Nga Tony Diver

Ka pasur prej kohësh shqetësime për gjendjen mendore të Joe Biden, por zbulimet e fundit nga këshilltari special i Departamentit të Drejtësisë janë më tronditëset deri tani.

Në raportin e tij mbi ruajtjen e dokumenteve të klasifikuara të presidentit nga administrata Obama, Robert Hur tha se Biden nuk i kishte kujtuar dy herë datat kur ai shërbeu si zëvendëspresident dhe nuk mund të mbante mend se kur i kishte vdekur djali i tij Beau.

Kujtesa e tij është aq e dobët, pohuan ata, sa nuk ia vlen të niset një ndjekje penale kundër tij për keqpërdorim të sekreteve kombëtare, sepse juria ka të ngjarë të ndjejë keqardhje për të si një “i moshuar me qëllim të mirë por me kujtesë të dobët”.

Të enjten në mbrëmje, kriza u bë edhe më e mprehtë pasi Biden dukshëm i zemëruar qortoi gazetarët për pyetjet lidhur me moshën e tij. Ai vijoi më tej duke ngatërruar presidentin Sisi të Egjiptit me presidentin e Meksikës, në përgjigje të një pyetjeje për gjendjen në Gaza.

Pas muaj spërdredhjesh në Shtëpinë e Bardhë, duke gjetur justifikime për rënien e dukshme mendore të komandantit të përgjithshëm, ndihmësit e tij të enjten në mbrëmje pohuan se paraqitja e tij e dobët në intervista shpjegohej me lodhjen nga ballafaqimi me sulmin e Hamasit më 7 tetor.

Megjithatë, personat e afërt me presidentin do ta kenë shumë më të vështirë ta shpjegojnë këtë incident.

Së pari, këto zbulime për kujtesën e Biden nuk vijnë nga komentet partiake, ose nga ndonjë rrëshqitje në kamera gjatë fushatës.

Zyrtar asnjanës

Deklaratat janë bërë nga një zyrtar asnjanës, i ngarkuar me hetimin e provave në këtë rast dhe i referohen një interviste me dyer të mbyllura, që sipas pohimit të vetë presidentit, ai e kishte marrë jashtëzakonisht seriozisht.

Së dyti, shpjegimi se Biden nuk ishte në gjendje të kujtonte faktet themelore për jetën e tij, për shkak se ai po përballej me një krizë të politikës së jashtme, sugjeron se kërkesat e detyrës kanë një efekt të rëndësishëm në kapacitetin e tij mendor.

Këtë herë, nuk është rasti – siç pretendohet shpesh – që Biden është thjesht një “makineri gafash” që bën gabime kur flet publikisht.

Kjo humbje e kujtesës ndodhi në mënyrë private, në një kohë kur ai pritej të kryente detyrat e tij në nivelin më të lartë.

Demokratët dhe njerëzit përreth presidentit duhet të vendosin tani nëse është e mençur që partia të miratojë Joe Biden si kandidatin e saj për zgjedhjet e nëntorit.

Tashmë, historitë për rrëshqitjet dhe gafat e tij kanë një ndikim të madh në sondazhe. Vetëm këtë javë, më shumë se tre të katërtat e votuesve raportuan në një sondazh të NBC se kishin shqetësime mbi aftësinë e presidentit për të bërë punën e tij.

Pyetjet në lidhje me shëndetin personal të Biden po ia zbehsin mesazhin kryesor të fushatës së tij: se Donald Trump është një “ushtar” i kaosit në politikën amerikane dhe se rizgjedhja e tij do e gërryente demokracinë amerikane.

Pyetja e thjeshtë për strategët demokratë është nëse rënia mendore e Biden është më shqetësuese për votuesit sesa telashet ligjore të Trump.

Plani B është i ndërlikuar

Provat sugjerojnë se ndërsa fushata ecën para, është mosha e presidentit ajo që do ndikojë më shumë në rezultatet.

Mekanizmi për të ashtuquajturin “Plan B” është i ndërlikuar. Tashmë, fushata ka  ecur shumë përpara që një sfidues i Biden të hyjë në garë dhe ta mundë atë në një primare të hapur.

Dean Phillips, kundërshtari i vetëm serioz i Biden, nuk ka arritur të marrë më shumë se një pakicë votash në primaret demokrate deritani.

Megjithatë, ka një mënyrë që  Biden të pranojë humbjen në Konventën Kombëtare Demokrate të kësaj vere.

Në teori, është e mundur që partia të zhvillojë një garë të plotë primare. Në prapaskenë, ka diskutime për Kamala Harris, zëvendëspresidenten e tij aspak popullore, që do zinte vendin e tij dhe do kandidonte kundër Trump në nëntor.

Gjendja mendore e Biden tani është më shumë se një shfaqje e parëndësishme për të argëtuar republikanët dhe për të mbajtur të zënë spin doktorët e tij në West Wing-un e Shtëpisë së Bardhë.

Ajo përbën një kërcënim serioz për partinë e tij dhe për Shtetet e Bashkuara në përgjithësi.

Demokratët duhet të gjejnë një mënyrë për ta trajtuar atë tani, madje shpejt.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The Telegraph

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani