Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Fondacioni Rothschild mbrojti Butrintin, Granoff të tërhiqet ndryshe do kërkojmë hetim nga Kongresi amerikan


Ish-kryeministri Berisha i bëri thirrje Fondacionit Shqiptar Amerikan të Zhvillimit të tërhiqet nga koncesionit për Parkun e Butrintit.

Ai tha se UNESCO ka zbërthyer copëtimin e shkatërrimin e parkut përmes një raporti, të cilin sipas tij, kryeministri Rama e ka fshehur.

Berisha tha se Parku i Butrintit u mbrojt nga viti 1993 deri në vitin 2013 duke falënderuar Fondacionin e Lordit Rothschild.

“Parku i Butrintit, nga qyteza arkeologjike te Kepi i Stillës, përbën ndoshta një nga mrekullitë më të mëdha në botë. Ky park u mbrojt dhe duhet t’u rrëfej këtu se nga viti 1993, gjer në vitin 2013, Fondacioni i Lordit Rothchild, luajti një rol shumë pozitiv në mbrojtjen e tij. Së fundmi miq kam një mirënjohje shumë të thellë ndaj Organizatës Botërore të Trashëgimisë Kulturore, UNESCO-s, e cila në raportin e saj që ka fshehur Edi Rama, zbërtheu copëtimin, shkatërrimin e Edi Ramës me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të parkut më përrallor që ka Europa, parkut kombëtar të Butrintit. Më lejoni të falënderoj para jush, përzemërsisht deputeten Ina Zhupa e cila qëndroi e pamposhtur nga çdo presion, për t’i mbrojtur Shqipërisë pasurinë e saj më përrallore, parkun e Butrintit. Të falënderoj profesor doktor Apollon Baçen, avokat i pamposhtur i kësaj trashëgimie. Të falënderoj Aleancën për Mbrojtjen e Butrintit dhe të gjithë ata që u përballën me presionet më çnjerëzore, më të gjithanshme, por qëndruan në mbrojtje të kësaj pasurie të pashoqe e theksoj edhe njëherë.” – tha Berisha.

Kreu i Rithemelimit në arrest shtëpie akuzoi kryeministrin Rama në bashkëpunim me projektin e Fondacionit Shqiptari Amerikan për copëtimin e Parkut të Butrintit.

Ai theksoi se nëse kreu i këtij fondacioni Michael Granoff nuk tërhiqet nga projekti, do i kërkojë Kongresit Amerikan ta hetojë.

Por çfarë ndodhi më vonë? Parku u copëtua me projektin e Edi Ramës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan. Unë jam këtu për të kërkuar publikisht Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, tërhiquni menjëherë nga projekti, kërkoni të falur sepse keni kryer një akt shumë të rëndë ndaj një pasurie përrallore të kombit shqiptar. Është pikërisht projekti juaj, i bazuar në studimin tuaj korruptiv me Edi Ramën, që i dha këtij të fundit mundësinë të projektojë, të ndërtojë te Gjiri i Manastirit, te Kepi i Stillës me qindra e mijëra banesa. Unë kam pasur një bashkëpunim të ngushtë, të frutshëm, kam respektuar shumë, kam vlerësuar lart të gjithë kontributin e këtij fondi. Kam pasur marrëdhënie miqësore me presidentin e tij. Por natyrisht Butrinti ishte për mua, interesi i shqiptarëve ishte mbi të gjitha. Ndaj i them, zoti Granoff, tërhiqe projektin. I bëtë një dëm të madh. Ju keni kontribut të padiskutueshëm në dhjetëra e dhjetëra projekte në Shqipëri. Por ajo që bëtë është e paimagjinueshme. U bëtë bashkautor në një megakorrupsion të tmerrshëm me Edi Ramën. Përndryshe, me një peticion do i kërkojmë hetim Kongresit të SHBA për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan. Keqpërdorimin e tij nga Edi Rama.” – shtoi Berisha.