Vendosni fjalën kyçe....

“Kriminele lufte” – Protestuesit prishin fjalimin e Hillary Clinton (Video)


Demonstruesit pro-palestinez sulmuan Hillary Clinton-in të premten, duke e quajtur ish-Sekretaren e Shtetit një “kriminele lufte” dhe duke i thënë asaj se ajo “do digjet” për veprimet e saj në Lindjen e Mesme.

Clinton u ndërpre teksa doli në skenë për të mbajtur një leksion mbi dhunën seksuale të lidhur me konfliktin në Universitetin e Columbias në Nju Jork, ku ajo është Profesoreshë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Publike.

“Hillary Diane Rodham Clinton, ju jeni një kriminele lufte!” – bërtiti një burrë.

“Populli i Libisë, populli i Irakut, populli i Sirisë, populli i Jemenit, populli i Palestinës si dhe populli i Amerikës nuk do t’ju falë kurrë,” vazhdoi protestuesi, duke thirrur “ju do digjeni” ndërsa ai u përcoll nga salla.

Ish-kandidatja për presidente filloi fjalimin e saj, por u ndërpre nga një protestues i dytë.

“Ju e keni bërë këtë më parë…Ju keni shfrytëzuar dhunën seksuale në Libi, në mënyrë që të justifikoni militarizimin e SHBA-së,” bërtiti protestuesi.

“Nëse do të zemëroheshit për dhunën seksuale, do të flisnit për dhunën seksuale në Palestinë dhe dhunën seksuale që ata durojnë çdo ditë.”

“Njerëzit janë të lirë të protestojnë,” u përgjigj Clinton, “por ata nuk janë të lirë të ndërpresin ngjarjet apo leksionet e seminaret dhe këto do jenë standardet që ne ndjekim këtu dhe ecim përpara.”

Clinton shërbeu si Sekretare e Shtetit nga viti 2009 deri në vitin 2013 nën presidentin e atëhershëm Barack Obama. Clinton mbajti një qëndrim të vazhdueshëm pro-izraelit gjatë mandatit të saj në Departamentin e Shtetit.

Ajo ka kritikuar thirrjet për një armëpushim në luftën aktuale Izrael-Hamas, duke argumentuar se një pushim në luftime do t’u jepte militantëve “një mundësi për t’u riarmatosur dhe çuar më tej ciklin e dhunës”.

Luftëtarët e Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë peng mbi 250 të tjerë. Izraeli u përgjigj duke nisur sulme ajrore në Gaza përpara se të dërgonte tanke dhe trupa në enclave në sulmet që deri tani kanë vrarë më shumë se 28 mijë persona.