Vendosni fjalën kyçe....

“Butrinti”/ Tare: 5 persona duan ta menaxhojnë privatisht, UNESCO mund ta rifusë në listën e mbrojtur


Studiuesi Auron Tare paralajmëroi se beteja për Parkun e Butrintit kundër koncesionit do vijojë e do përfundojë më sukses.

Në një intervistë të gjatë mbrëmjen e djeshme në Ora News, ai foli për raportin e UNESCO-s e ICOMOS-it, lidhur me problematikat që dy institucionet më të fuqishme të trashëgimisë kulturore në botë kanë gjetur në projektin për koncesionin e qeverisë shqiptare, përfitues i të cilit është Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit.

Tare theksoi se UNESCO-ICOMOS kanë gjetur probleme të shumta në projektin e menaxhimit të Parkut të Butrintit, të cilin ai e quajti fals dhe të përgatitur nga 5 persona, të cilët duan të përfitojnë menaxhimin e këtij parku, i cili nënvizoi Tare, ka vlera universale për rajonin dhe mbarë botën.

Gjatë intervistës ai rrëfeu luftën e gjatë që bëhet për mbrojtjen e parkut që prej vitit 1994 duke kritikuar edhe ish-kryeministrin Berisha, i cili tha Tare ka lejuar dëmtimin ee Parkut të Butrintit gjatë dy qeverisjeve të tij.

Ai tha më tej se Berisha lejoi dëmtimin e zemrës së parkut dhe në vitin 2005 shkarkoi nga detyra të gjithë profesorët, studiuesit e të tjerët që e kishin mbrojtur atë deri atë vit.

Tare tha gjithashtu se nën zë shumë deputetë të PS-së e mbështesin mbrojtjen e Parkut të Butrintit, ndërsa ata që janë për dhënien e tij me koncesion janë një pakicë.

Ai ceku dëmtimin e integritetit territorial të parkut me heqjen e e 600 hektarëe tokë nga zona e mbrojtur si dhe planin e menaxhimit, si dy nga problemet kryesore që kanë gjetur UNESCO e ICOMOS. Tare paralajmëroi se Parku mund të rikthehet sërish në listën e institucioneve të mbrojtura të trashëgimisë kombëtare botërore të UNESCO-s, siç ka ndodhur në periudhën 1997-2005.

Po kështu  ai denoncoi kërcënimet ndaj profesorit Gora Solar, një mbrojtësi të paepur e të vjetër të parkut siç e quajti ai, nga Ilir Parangoni, i cili mban postin e menaxherit të projekteve të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit.

Në fund ai theksoi se edhe nëse Gjykata Kushtetuese nuk i jep zgjidhjen e duhur mbrojtjes së parkut, do shkohet në institucione të tjera ndërkombëtare dhe se Butrinti do mbrohet me çdo kusht dhe se fundi do jetë i suksesshëm.

Më poshtë intervista e plotë e Auron Tares

“Raporti i UNESCO-s nuk është bërë ende publik. Ajo që ne dëgjuam është një kronikë e Zërit të Amerikës  që citonte disa pjesë, po raporti në dijeninë time është 90 faqe dhe analizon në mënyrë të hollësishme gjithë probematikën që ka në Parkun Kombëtar të Butrintit këto katër vitet e fundit, kohën që është bërë debati publik mbi mënyrën e menaxhimit dhe të ardhmen e këtij parku, jo vetëm në Shqipëri, po në kontekstin mesdhetar.

Fakti që ky raport nuk është bërtë publik dhe nuk i është dhënë Gjykatës Kushetuese megjithë këmnbënguljen e kësaj të fundit, tregon se ai ka pasur një problem të qenësishëm me mënyrën si i ICOMOS e UNESCO i janë drejtuar palës së shtetit shqiptar për t’i thënë që ruajtja e integritetit të Parkut Kombeëtar të Butrintit nuk mund të zgjidhet me një fondacion privat apo jo, i huaj apo jo, por duhet të zgjidhet sipas të gjitha kritereve të Konventës së Parisit, të cilat janë miratuar nga qeveria shqiptare.

Së shpejti do botohet një dokument tjetër tejet i rëndësishëm, i shqyrtuar nga UNESCO e ICOMOS për mënyrën si është proceduar për të krijuar qendrën e vizitorëve në Parkun Kombëtar të Butrintit, e realizuar nga një firmë e njohur arkitekturore japoneze, ku UNESCO dhe ICOMOS, dy institucionet më të rëndësishme në botë për trashëgiminë kulturore, kanë kritikat për mënyrën si është konceptuar dhe si është realizuar ky koncept.

Kritikat e tyre janë të ngjashme me ato që kanë bërë specialistët shqiptarë. Mosruajtja e integritetit të parkut, problemi i peizazheve historike që do dëmtohen nga kjo ndërhyrje si dhe ajo që është më e rëndësishme, interpretimi i qendrës, historisë. Historia e Butrintit nuk mund të interpretohet nga një fondacion privat por nga insitucionet shtetërore.

Kam që në vitin 1994 që merrem me mbrojtjen e Butrintit, si nga qeveri Berisha 1, Berisha 2, edhe tani. Kam 20 vjet që merrem më këtë çështje. Kjo nuk është çështje politike. Brenda mazhorancës ka shumë njerëz që ulin kokën kur flitet për Butrintin dhe thonë ‘po ke të drejtë, nuk kemi çfarë të bëjmë’. Ka njerëz që e duan pasurinë e trashëgimisë kulturore të Butrintit në emër të publikut shqiptar dhe një pjesë pastaj e vogël që e shikojnë atë si përfitim personal, elektoral, lobing apo mënyra të tjera. Kjo nuk është ndarje politike po front ku njerëzit e mirë që duan pasurinë e Butrintit ta mbajnë në emër të popullit shqiptar kundrejt një pakice.

Që në vitin 1994 arritëm të ndalonim 6 resorte turistike të përcaktuara në atë kohë nga qeveria Berisha 1. Me ardhjen e PS-së në pushtet u bë e mundur të krijohej një park kombëtar prej 29 kilometra katrorë. Edhe Berisha që para pak ditësh e përmendi Butrintin, ka qenë një nga kontribuesit e dëmit ndaj Butrintit, sepse në vitin 2005 me sugjerimin  e ekipit anglez dhe Richard Hodges personalisht, zoti Berisha shkarkoi nga detyra gjithë personelin e Parkut Kombëtar të Butrintit. për t’i zëvendësuar me njerëz të tjerë të cilët ishin më kokëulur ndaj palës angleze.

Po kështu në kohën e qeverisë Berisha u dëmtua zemra e Parkut Kombëtar megjithë një angazhim shumë të madh të shumë njerëzve, përfshirë UNESCO-n dhe ICOMOS-in, tentuan ta ndalojnë rrugën e madhe që është bërë brenda parkut kombëtar por fatkeqësisht Berisha e të tjerët nuk dëgjuan dhe e dëmtuan zemrën e Butrintit, i prishën atë peizazhin e bukur që ajo zonë kishte.

Por gjithsesi integriteti territorial i parkut në njëfarë mënyre u ruajt. Fakti që tashmë janë hequr 600 hektarë nga zona e mbrojtur, e thënë me zë të lartë nga shumë njerëz dhe e konfirmuar nga misioni i UNESCO-s e ICOMOS-it i vitit të kaluar tregon shqetësimin e madh që UNESCO ka ndaj ruajtjes së integritetit fizik të parkut. Ndërkohë për ruajtjen e integritetit shkencor të Butrintit, UNESCO thotë që krijimi i një fondacioni nuk është mënyra e duhur, pra nuk ruhet nga fondacioni, por ruhet nga pala shtet, që ka marrë angazhimet për ta ruajtur dhe trashëguar brezave.

Të gjithë ata që e kanë kundërshtuar qasjen e qeverisë ndaj Butrintit kanë mbështetjen e dy institucioneve më të rëndësishme që ka bota, UNESCO, ICOMOS. Të dyja e dënojnë mënyrën si është qasur ndaj Butrintit.

Qasja është bërë për t’i dhënë aksesin sa më të mundshëm një grupi privat, siç është Fondi Shqiptaro-Amerikan, i cili pagoi për të ndryshuar ligjin e Republikës së Shqipërisë, loboi në parlament për ta kaluar ligjin, pagoi një plan menaxhimi të një firme angleze të panjohur në Angli, medikore, ku ndryshoi menaxhimin e parkut nga pala shtet në një forndacion privat.

Pastaj iu vetëofrua qeverisë shqiptare si fondacioni i cili do e menaxhonte këtë park kombëtar dhe krijoi një bord me 5 veta të cilët privatisht duan të menaxhojnë për të mirën e publikut shqiptar Parkun Kombëtar të Butrintit, që nuk ka vetëm vlera për Shqipërinë po vlera universale për Mesdheun dhe botën  në përgjithësi dhe kjo është qasje e paparë në asnjë vend të botës. UNESCO e ka kritikuar këtë në mënyrë elegante duke thënë se kjo nuk është mënyra sesi ruhet parku.

Në datën 1 shkurt, Ministria e Kulturës, duhet t’i raportojë UNESCO-ICOMOS të gjitha vërejtjet, kritikat që ka mbi raportin si dhe dy shkresa të tjera që janë dërguar nga UNESCO për integritetin, për ndërtimet që po ndodhin pranë zonës së mbrojtur të Butrintit. Nëse UNESCO-ICOMOS në sesionin e 49-të i gjen vërejtjet të pamjaftueshme siç ka gjetur gjatë misionit të saj, atëherë do rekomandojë që Butrinti futet në listën e rrezikur botërore.

Futja në lëtë listë është bërë në vitin 1997, me motivimin që shqiptarët ishin të paaftë për të mbrojtur një pasuri me vlera botërore. Na u desh nga vitit 1997 në vitin 2005 kur sesioni i UNESCO-s në Afrikën e Jugut me motivacionin që pala shqiptare ishte e aftë ta menaxhonte, e hoqi nga lista e rrezikuar. Më pas në tetor 2005 Berisha hoqi gjithë personelin që kishin ndihmuar për këtë sukses kaq të madh dhe i hoqi nga puna.

Kërkesa për largimin nga puna të punonjësve në Butrint nuk është e re, është bërë edhe herë të tjera për arsye që do dalin më vonë. Nëse kjo është e vërtetë, ç’punë ka Fondi Shqiptaro-Amerikan të shkojë t’i bëjë presion punonjësve të shtetit shqiptar.

Kërcënimi ndaj profesor Gora Solar është qesharak dhe i trishtueshëm. Ai ka qenë Sekretat i Përgjithshëm i ICOMOS-it e ka pasur shumë funksione të rëndësishme. Dhe merr emaile kërcënuese nga një palaço nga Tirana. Kur të gjithë eksponentët e PS-së dolën së bashku për të mbrojtur Piramidën nga shembja, Gora Solar doli në televizion dhe mbrojti me pasion mosshembjen e Piramidës dhe kjo gjë nuk përmendet sot. Dhe një palaço, Parangoni nga Tirana quhet, i shkruan dhe i thotë do të mbyll gojën për Butrintin. Kjo është një arrogancë e paparë, po këta njerëz nuk do bëjnë hajër se nuk do i lënë shqiptarët.

Të gjitha farsat e dëgjesave publike që ka bërë Ministria e Kulturës me zonjën Kumbaro në krye, me Richard Hodges në krye dhe Fondin Shqiptaro-Amerikan kanë qenë farsë. Janë diskutuar gjëra për të bërë foto ose disa kronika televizive dhe kanë qenë të gjitha false. Fakti që UNESCO kërkon të dijë ku i ka kufijtë, sepse ende nuk dihet ku janë kufijtë me heqjen e 600 hektarëve. Mos harroni që janë paguar rreth 300 mijë euro për planin e menaxhimit të cilin UNESCO-ICOMOS e hedhin poshtë. Është bërë një plan menaxhimi fals për të shtënë në dorë Parkun Kombëtar të Butrintit.

Shpresoj që Gjykata Kushtetuese ta dëgjojë si duhet raportin po ka edhe hapa të tjerë. Beteja për Butrintin do vazhdojë dhe do përfundojë me shumë sukses dhe nga kjo do dalë një mësim i mirë që Ministria e Kulturës, që e ka nën administrim, të krijojë urgjentisht struktura vendase, siç ka rekomanduar Gora Solar, një njeri që e do Shqipërinë, Butrintin, e ka njohur mirë. Ka bërë një plan menaxhimi të mrekullueshëm që i rekomandonte palës shtet shqiptare që të forconte kapacitetet vendase. Butrinti është i shqiptarëve, as i Richared Hodges.”

*Intervistën video mund ta ndiqni Këtu