Shqipëria, përfaqësuar nga Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ka nënshkruar sot në Hagë “Konventën për Marrëveshjet për Zgjedhjen e Gjykatës” dhe “Protokollin për Ligjin e Zbatueshëm për Detyrimet Ushqimore”, në prezencë të Christophe Bernasconi, Sekretar i Përgjithshëm i Byrosë së Përhershme për të Drejtën Ndërkombëtare Private (HÇH) dhe Jules van Eijndhoven, MPJ Holandese.
Nënshkrimi i Konventës për Marrëveshjet për Zgjedhjen e Gjykatës dhe Protokollit për Ligjin e Zbatueshëm për Detyrimet Ushqimore është një hap i rëndësishëm për Shqipërinë, në forcimin e legjislacionit të brendshëm në fushën e të drejtës ndërkombëtare private dhe një instrument shtesë për palët në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve civile!
Ministri Manja pas nënshkrimit u shpreh se: “Konventa dhe Protokolli që pata nderin të nënshkruaj sot si Ministër Drejtësie në emër të shtetit shqiptar, garanton universalitetin e të drejtës ndërkombëtare në të drejtën e brendshme, forcon sigurinë juridike për biznesin në marrëdhëniet tregtare ndërkombëtare, si dhe lehtëson procesin e dhënies së vendimeve për detyrimet ushqimore, në rastet që kanë të bëjnë me fëmijët në kontekstin e marrëdhënieve familjare”!
Ministri Manja do të jetë i pranishëm në Hagë edhe ditën e nesërme, ku pritet nënshkrimi i një tjetër konvente të rëndësishme, që do të shoqërohet edhe me takime të nivelit të lartë.