Vendosni fjalën kyçe....

Vizita e historike e Blinken, takimet dhe mesazhet që dha nga Tirana


Sekretari i Departamentit Amerikan të Shtetit përmbylli vizitën e tij në Tiranë pas disa takimesh, në Ambasadën Amerikane, takimin me Presidentin e Republikës Bajram Begajn, drejtuesit e institucioneve të krijuara nga Reforma në Drejtësi (Gjykata Kushtetuese, SPAK, ILD, Gjykata e Lartë), të rinj që kanë përfituar nga programe shkëmbimi në SHBA, si dhe kryeministrin Edi Rama.

Në konferencën për shtyp të përbashkët me Kryeminstrin Edi Rama ai dha disa mesazhe ku theksoi nevojën për luftën e përbashkët kundër korrupsionit dhe për të ndërtuar institucione solide që do të ndihmojnë në forcimin e shtetit ligjor dhe të demokracisë. Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe angazhimit të vazhdueshëm për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit. Në të njëjtën kohë, ai u shpreh i gatshëm për të shtuar përpjekjet për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën e saj për integrimin evropian dhe për të përforcuar partneritetin midis dy vendeve.

Mesazhet për politikën rajonale dhe konfliktet e hapura në arenën ndërkombëtare

Blinken u ndal edhe te Kosova dhe rruga që duhet të ndjekë ajo drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë ku tha se  “Dialogu është shtegu i vetëm i duhur sa i përket Kosovë dhe Serbisë. Dua të përgëzoj rolin e Shqipërisë se ka qenë një forcë për stabilitet. Ky është shtegu që i sjell të gjithë drejt një të ardhmeje më të mirë, jemi të vendosur që të bëjmë gjithçka e të mbështesim këtë dialog”.

Sekretari i Shtetit foli edhe për kërcënimin Rus duke theksuar se nuk ka diçka aktive por potenciale  që po merret seriozisht

Kjo nuk është aftësi aktive por është diçka potenciale që jemi duke e marrë shumë seriozisht. Shumë shpejt do të flasim. Qëndro në gadishmëri. Jemi duke diskutuar me aleatët dhe partnerët për këtë. Fokusi i presidentit Biden është siguria e SHBA dhe popullit të SHBA-së”-deklaroi ndër të tjera Blinken.

Ndërsa për sa i përket luftës në Gaza kryediplomati amerikan tha se SHBA-të janë në proces me aleatët që të gjendet një dakordësi për kthimin e pengjeve dhe përfundimin e konfliktit.

“Ne kemi dhënë një propozim bashkarisht me Katarin e Egjiptit.Ia kemi dorëzuar në përgjigje të Hamasit një javë më parë. Ne besojmë që ka disa gjëra që ende nuk janë miratuar. Jemi në proces së bashku me partnerët tanë Katarit, Egjiptit e Izraelit duke punuar në mënyrë intensive me qëllim që mund të gjejmë një dakordësi. Besoj se kjo është e mundur. Ka disa cështje që janë shumë të vështira për tu zgjidhur. Po bëjmë gjithcka që të mundemi për të arritur një marrëveshje. Qëllimi është të kthehen pengjet në shtëpi e të kemi pauzë më të gjatë. jemi tejet të fokusuar e besoj se është e mundur.

Temë e diskutimeve me ekzekutivin shqiptar ishte edhe Ukraina ku Blinken e cilësoi Shqipërinë si një mbështetëse të fortë e cila ka dërguar e para ndihma ushtarake, armë e municione.

“Kemi folur për punën tonë të fortë se bashku, për Ukrainën, tani për Këshillin e Sigurimit një çështje e rëndësishme… Kemi folur edhe për shumë çështje dhe sfida me të cilat përballemi dhe jemi përqendruar në atë që jemi duke bërë për të nxitur përpara sigurinë. Shqipëria ka qenë mbështetëse e fortë e Ukrainës, ka qenë vendi i parë që ka dërguar ndihma ushtarake, armë municione. Aktualisht është një nga 10 kontribueset kryesore për të ardhura për frymë për Ukrainën. Gjithashtu po flasim për partneritetin e sigurisë mes vendeve tona.”, tha Blinken.

Mbështetja për Reformën në Drejtësi

Sekretari i Shtetit shprehu edhe një herë mbështetjen për Reformën në Drejtësi duke mos lënë pa përmendur faktin se ajo pa jep rezultate.

“Reforma në drejtësi nuk ka qenë e thjeshtë dhe e shpejtë. Ne kemi filluar të shikojmë rezultate. Është e rëndësishme të kuptojmë që anëtarë të krimit të organizuar janë duke përfunduar në procese gjyqësore. Ne do të vijojmë ta mbështesim Shqipërinë” –tha Blinken.

Mungesa e takimit me segmente të opozitës

Në mbulimin e takimeve të tij publike, u vu re mungesa e takimeve me opozitën shqiptare gjë që për të cilën Blinken shpjegoi se nuk kishte mundësi të takohej për shkak të agjendës.

Nuk kam pasur shumë mundësi që të takohesha me shumë njerëz përveç kryeministrit dhe ministrit të punëve të jashtme. Kur të kthehem nga darka që i detyrohem, do të kem mundësi të takohem me një segment tjetër të shoqërisë shqiptare. Mendoj se kam marrë mjaftueshëm nga kjo ditë”- shpjegoi Blinken gjatë konferencës për shtyp.

Mesazhi për gazetarët

Blinken gjatë konferencës përmendi se ka gazetarë që në Shqipëri po ekspozojnë korrupsionin dhe po e bëjnë Shqipërinë më të hapur.

Këtu mes nesh sot kemi gazetarë që po ekspozojnë korrupsionin dhe kemi gra sipërmarrëse që fillojnë bizneset e tyre, që luftojnë kundër ekstremizmit dhe po e bëjnë Shqipërinë akoma edhe më të hapur dhe inkluzive”, u shpreh ai.

Superalativa për Ramën

“Jo vetëm udhëheqës i shquar, por edhe kryeministër shumë i mirë”-ishte kjo deklarata e Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken, drejtuar kryeministrit Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë me të rinjtë që kanë studiuar në programe të ofruara nga SHBA.

Sekretari Blinken tha se ‘në çdo vështirësi Rama ka qenë pranë nesh dhe i kemi përballuar së bashku’, dhe se është mirënjohës për partneritetin SHBA-Shqipëri.

“Ju falënderoj dhe jam shumë i lumtur që jam sot me ju në një qytet që ju si ish-kryetar bashkie e keni energjizuar dhe i keni dhënë ngjyra të bukura. Jam mirënjohës, por sidomos jam mirënjohës për partneritetin e jashtëzakonshëm që ne të dy kemi. Zoti Kryeministër është jo vetëm një udhëheqës i shquar, por edhe një kryeministër shumë i mirë dhe këto 4 vitet e fundit që kemi punuar bashkë, çdo vështirësi që keni pasur, zoti Kryeministër ka qenë pranë nesh dhe i ka përballuar këto vështirësi së bashku me ne. Gjithçka që mund të shikoni ju dhe unë e pashë sot në rrugët e Tiranës, mund të shikoni energjinë, optimizmin për të ardhmen, një e ardhme e integruar me perëndimi, me Europën, me botën”-tha Blinken.

Memorandumet e firmosura

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe Sekretari i Shtetit e SHBA, Antony Blinken firmosën sot në Tiranë Memorandumin e Mirëkuptimit Kundër Manipulimit të Informacionit të Shtetit të Huaj (dezinformimit) si dhe Memorandumin e Mirëkuptimit për Programin e Shkëmbimit Akademik Fulbright.

Memorandumi i parë ofron një kornizë bashkëpunimi për të monitoruar dhe kontrolluar informacionin e shtetit te huaj për të luftuar manipulimin e tij nga aktorët e huaj në mënyrë që të mbrohen vlerat e përbashkëta te demokracisë në nivel ndërkombëtar.

Memorandumi i Mirëkuptimit/ Programi i Shkëmbimit Akademik Fulbright synon që çdo vit të propozohen studentë, staf akademik dhe profesionistë nga institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet e tjera të Republikës së Shqipërisë për të studiuar në universitetet e SHBA-së dhe të koordinohet nga përfaqësuesi amerikan, pjesëmarrja e studentëve, stafit akademik dhe profesionistëve të Shteteve të Bashkuara në studim, kërkimet ose trajnime akademike në institucionet akademike apo institucionet e tjera të Republikës së Shqipërisë.

Anthoni Blinken u bë Sekretari i gjashtë i shtetit amerikan që viziton Shqipërinë. Dy vendet kanë një partneritet strategjik dhe ndajnë marrëdhënie të shkëlqyera në OKB, NATO dhe organizma të tjera ndërkombëtare. /Hashtag.al