Vendosni fjalën kyçe....

SHBA: Rusia ka siguruar një armë shqetësuese antisatelitore


Shtëpia e Bardhë e ka konfirmuar publikisht të enjten se Rusia e ka siguruar një armë “shqetësuese” antisatelitore, por tha se ajo nuk mund t’i shkaktojë “shkatërrim fizik të drejtpërdrejtë ” Tokës.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë të dhënat se Rusia e ka siguruar këtë armë, por shtoi se një armë e tillë nuk është ende funksionale.

Zyrtarët amerikanë janë duke i analizuar të dhënat që i kanë siguruar për këtë armë të re teknologjike dhe janë konsultuar me aleatët dhe partnerët e vet për këtë çështje.

“Së pari, kjo nuk është një armë aktive dhe, megjithëse përpjekjet e Rusisë për ta pasur këtë armë specifike janë shqetësuese, ajo nuk përbën rrezik të menjëhershëm për sigurinë e të tjerëve”, tha Kirby.

“Ne nuk po flasim për një armë që mund të përdoret për të sulmuar qeniet njerëzore ose për të shkaktuar dëme fizikenë Tokë”, u shpreh më tej ai.

Shtëpia e Bardhë e bëri të ditur këtë pas një paralajmërimi të paqartë të mërkurën nga kreu republikan i Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve, deputeti i Ohajos, Mike Turner, i kërkoi administratës Biden të deklasifikonte informacionin rreth asaj që ai e quajti një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare.

Rusia i ka hedhur poshtë shqetësimet e SHBA-së për këtë armë.

Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i përshkroi raportimet për armën e re të Rusisë si mashtrim për ta bërë Kongresin amerikan të mbështet projektligjin për ndihmë për Ukrainën.

“Është e qartë se Uashingtoni po tenton ta detyrojë Kongresin të votojë për projektligjin për ndihmë në çdo mënyrë”, tha Peskov.

“Ta shohim se çfarë mashtrimi do të përdorë Shtëpia e Bardhë”, shtoi ai.

Kjo armë është me bazë në hapësirë dhe do ta shkelte traktatin e hapësirës ndërkombëtare, të cilin e kanë nënshkruar më shumë se 130 vende, përfshirë Rusia.

Shtëpia e Bardhë tha se do të kërkojë të bisedojë me rusë drejtpërdrejt për këtë çështje.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e AP