Dhjetëra mijëra hungarezë protestuan në Budapest të premten në tubimin më të madh kundër qeverisë së kryeministrit Viktor Orban për vite me rradhë, pasi një falje e rastit të abuzimit seksual nga presidentja Katalin Novak shkaktoi bujë publike dhe çoi në dorëheqjen e saj.
Konservatori Orban, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 2010, ka kërkuar të zbusë skandalin njëjavësh që rrëzoi dy nga aleatët e tij kryesorë politikë, presidenten dhe ish-ministren e drejtësisë Judit Varga, por ai ka vijuar të dominojë median vendase.
Ndërsa trazirat nuk përbëjnë kërcënim të menjëhershëm për qeverisjen e Orban, me zgjedhjet e vitit 2026 ende larg, ajo vjen përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në qershor, në të cilat partia e tij shpreson të fitojë nga një rritje e mbështetjes së ekstremit të djathtë në gjithë Evropën.
Dhjetëra mijëra demonstrues, duke përfshirë shumë të rinj, u mbërthyen në sheshin e madh, me të tjerë që mbushën rrugët që të çojnë drejt tij.
Motivet pas faljes së një burri që ndihmoi në fshehjen e abuzimit seksual në një shtëpi fëmijësh, që çoi në dorëheqjen e presidentes, mbeten të paqarta.
Shefi i shtabit të Orban, Gergely Gulyas tha në një konferencë më herët të premten se presidentja dhe ish-ministrja e Drejtësisë morën përgjegjësinë për çështjen dhe qeveria e konsideroi çështjen të mbyllur.