Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin e arsyetuar ku i dha “ok” marrëveshjes për emigrantët mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane.
Në vendim theksohet se pavarësisht faktit që kampet do të ndërtohen në tokë shqiptare, vendi ynë do të ketë juridiksion territorial mbi to.
Po ashtu theksohet se në kushtet kur Protokolli për Migracionin ofron mbrojtje të përforcuar juridiksionale dhe nuk sjell kufizim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut,
Gjykata çmon se, sipas arsyetimit, pretendimet e kërkuesit, në rastin konkret të 30 deputeteve te opozites, për cenimin e të drejtave dhe lirive themelore të të huajve (migrantëve), që rregullohen nga Protokolli për Migracionin, janë të pabazuara.
“Gjykata çmon se përcaktimet e Protokollit për Migracionin nuk sjellin kufizime të të drejtave dhe lirive të njeriut, pasi standardet minimale të KEDNJ-së, ashtu siç u arsyetua më lart, janë të zbatueshme. Në mbështetje të këtij përfundimi, Gjykata vë në dukje natyrën universale dhe karakterin detyrues të KEDNJ-së dhe akteve të tjera ndërkombëtare të ratifikuara dhe pranuara nga të dyja shtetet, atij shqiptar dhe italian, të cilat gjejnë zbatim edhe në rastin konkret.
Gjykata thekson se qëllimi i përbashkët i të dy shteteve për të menaxhuar në mënyrë efektive flukset migratore dëshmon nevojën dhe rëndësinë që ka ndihma e shtetit shqiptar në përballimin e këtij fenomeni. Kjo do të thotë se, sikurse është vënë në dukje edhe në komisionet parlamentare, shteti shqiptar angazhohet për të kontribuar dhe ndihmuar jo vetëm shtetin italian, por edhe vetë Bashkimin Evropian për përballimin e një problematike që është bërë gjithnjë e më e ndjeshme gjatë dekadave të fundit, por edhe për të rikonfirmuar perspektivën e integrimit evropian të vendit dhe pozitën e Shqipërisë, si një kontribues konkret në stabilitetin politik dhe social të Bashkimit Evropian. Ky vlerësim mban në konsideratë edhe faktin se Shqipëria është shtet që ofron besim dhe garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, duke sjellë si efekt edhe sigurimin e një sistemi efikas të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të migrantëve”, thuhet nder te tjera ne vendim.
LEXONI TE PLOTE: Vendimi i arsyetuar