Vendosni fjalën kyçe....

SHBA propozon një projektrezolutë me armëpushim të përkohshëm dhe jo ndërhyrje tokësore në Rafah


Shtetet e Bashkuara kanë propozuar një projekt-rezolutë alternative të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që bën thirrje për një armëpushim të përkohshëm në luftën Izrael-Hamas dhe kundërshton një ofensivë të madhe tokësore izraelite në Rafah në Gazën jugore, sipas tekstit të parë nga Reuters të hënën.

Uashingtoni e ka kundërshtuar fjalën armëpushim në çdo veprim të OKB-së për luftën Izrael-Hamas, por draft teksti i SHBA-së i bën jehonë gjuhës që presidenti Joe Biden tha se ai përdori javën e kaluar në bisedat me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Projekt-teksti i SHBA-së “përcakton se në rrethanat aktuale një ofensivë e madhe tokësore në Rafah do të rezultonte në dëme të mëtejshme për civilët dhe zhvendosjen e tyre të mëtejshme, duke përfshirë potencialisht në vendet fqinje”.

Izraeli planifikon të sulmojë Rafahun, ku më shumë se 1 milion nga 2.3 milion palestinezë në Gaza kanë kërkuar strehim, duke nxitur shqetësimin ndërkombëtar se një veprim i tillë do të përkeqësonte ndjeshëm krizën humanitare në Gaza.

Draft rezoluta e SHBA thotë se një veprim i tillë “do të kishte implikime serioze për paqen dhe sigurinë rajonale, dhe për këtë arsye nënvizon se një ofensivë e tillë e madhe tokësore nuk duhet të vazhdojë në rrethanat aktuale”.

Nuk ishte menjëherë e qartë se kur dhe nëse projekt-rezoluta do të hidhej në votim në këshillin prej 15 anëtarësh. Një rezolutë ka nevojë për të paktën nëntë vota pro dhe asnjë veto nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania, Rusia apo Kina për t’u miratuar.