Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj i kthen përgjigje Ahmetajt: Ai që i ikën drejtësisë e pastaj shpif nuk meriton koment, kush është burrë përballet me SPAK-un


Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj i është përgjigjur akuzave të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetajt i cili e akuzoi si furnizues të teorisë të shitjes së dosjes së inceneratorëve apo edhe pronarin faktik të inceneratorit të Tiranës.

Veliaj tha se Ahmetajt nuk meriton të koment pasi i iku drejtësisë dhe përgjegjësisë dhe më pas shpifi.

Madje për Veliajn ai që është “burrë rri këtu e përballet me SPAK-un”.

“Unë nuk kam asnjë problem me akuzat. Unë jetoj një jetë që është si libër i hapur në sy të të gjithëve. Edhe kur e kam marrë këtë punë përsipër, jam përgatitur për gjithçka, për shpifjet, për akuza, edhe për këto shpifjet e radhës. Të gjithë e dinë si është e vërteta e inceneratorëve, siç të gjithë e dinë që Tirana ka nevojë të pastrohet. Edhe në momentin që Tirana nuk pastrohet, nëse në këtë proces ka pasur njerëz që kanë bërë gabime, duhet të mbajnë përgjegjësi. Kështu që të komentoj dikë që i ikën drejtësisë, i ikën përgjegjësisë dhe pastaj shpif, nuk besoj që meriton koment. Kush është burrë rri këtu dhe përballet, siç gjithë të gjithë ne komunikojmë përditë me SPAK-un dhe mund të shkëmbejmë dhjetëra shkresa në ditë, për pafundësi procesesh. Disa here s’ka lidhje fare me bashkinë, por bashkia ka informacion si është dhënë kjo leje, kush ka qenë projektuesi, ku ka pasur le të themi një sipërmarrje, ose një incident. Pra bashkia gjithsesi është një qendër e madhe informacioni dhe besoj që kemi qenë një nga institucionet më korrekte në këtë marrëdhënie me SPAK-un dhe në një transparencë totale.

Sigurisht që drejtësia e re, si çdo gjë e re, nga disa do anatemohet, nga ne do lavdërohet, sepse unë besoj fort që sistemi i parë i drejtësisë ku praktikisht Bashkia e Tiranës nuk fitonte dot asnjë gjyq, por gjithmonë e fitonte një zaptues. Ne kemi humbur gjyqe për të liruar territore në varreza. E para e punës nga ana njerëzore, si zapton në varreza, në një parcelë ku prehen të parët tanë? E dyta, si pastaj paguan në gjykatë dhe sesi mund të ketë gjyqtarë, që fatmirësisht vettingu i përcolli, ose po i përcjell, të cilët vazhdojnë dhe japin masa të kësaj çudie.

Kështu që kishte ardhur nevoja për një kthim, ku i forti, ai i fuqishmi, në fakt janë populli, janë qytetarët, është e drejta, është publikja dhe jo ai që ka mundësi të paguajë dhe ai që ka mundësi të manipulojë drejtësinë, patjetër që kishte ardhur koha, madje ishim vonë. Sigurisht që ky është një proces adaptimi, me një sistem të ri, me kërkesa të reja, me një standard shumë më të lartë, duhet të adaptohemi. Por a është sot drejtësia më mirë seç ka qenë? Patjetër që është!! A është perfekte? Unë besoj që asnjë prej nesh s’bën punë perfekte, si ai pendulumi që do gjejë bazën e vet dhe do gjejë atë sheshin ku do rëndojë. Por unë them që kush ka një problem, në vend që të iki duhet të jetë këtu dhe të shpjegohet. Të largohesh dhe të shpifësh dhe të sajosh, ka shumë njerëz që gjithashtu më thonë pse nuk merresh përditë që të merresh me shpifjet.”-deklaroi Veliaj në Report TV.