Kufoma e një burri, e masakruar me plumba dhe e shtypur nga një makinë në Spanjë javën e kaluar, u identifikua si ajo e pilotit ushtarak rus Maksim Kuzminov, i cili dezertoi me helikopterin e tij Mi-8 nga Rusia në Ukrainë në muajin gusht të këtij viti, thanë zyrtarët ukrainas.
Vrasja e tij e dukshme, pas një kërcënimi publik për jetën e tij vitin e kaluar në televizionin shtetëror rus, ka ngritur pikëpyetje nëse ky ishte një atentat me urdhër të Rusisë i kryer në Evropë.
Lajmi për vdekjen e dhunshme të Kuzminov u shfaq vetëm disa ditë pas vdekjes së papritur në burg të liderit të opozitës politike ruse Alexei Navalny, të cilin zyrtarët evropianë dhe amerikanë e kanë cilësuar si provë të brutalitetit të pakontrolluar të qeverisë ruse.
Zëdhënësi i shërbimit inteligjent të Ukrainës, Andriy Yusov, konfirmoi për The Washington Post të martën se trupi i gjetur në hyrje të një kompleksi banimi në Villajoyosa, Alicante, ishte i Kuzminov.
Zyrtarët rusë nuk kanë marrë përgjegjësinë për vrasjen. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov nuk pranoi të komentojë mbi rastin të martën, duke thënë se ai “nuk ishte në axhendën e Kremlinit”.
Por Sergei Naryshkin, kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Rusisë, foli me gazetarët rusë të martën, duke thënë se Kuzminov kishte vdekur që në çastin kur filloi të planifikonte dezertimin e tij.
“Në Rusi, është e zakonshme të flitet mirë për të vdekurit ose të mos thuash asgjë. Ky tradhtar dhe kriminel tashmë u bë një kufomë morale në çastin kur ai po planifikonte krimin e tij të ndyrë dhe të tmerrshëm,” tha Naryshkin, sipas raporteve në agjencitë shtetërore ruse të lajmeve Tass dhe Ria.
Në tetor, Dmitry Kiselyov, drejtues i programit të lajmeve të televizionit shtetëror “Vesti Nedeli”, transmetoi një segment mbi dezertimin e Kuzminov. Raporti përfundoi duke cituar tre persona të maskuar me kamuflazh, të identifikuar si pjesëtarë të forcave speciale të inteligjencës ushtarake ruse, duke deklaruar se atyre u ishte dhënë urdhri për të eliminuar Kuzminov.
“Ne do e gjejmë dhe ndëshkojmë sipas ligjit të shtetit tonë për tradhti”, tha njëri.
“Ne mund të mbërrijmë kudo.”
“Ai nuk do jetojë mjaftueshëm për të dalë në gjyq,” tha një tjetër.
Propagandistët rusë festuan vdekjen e raportuar të pilotit të martën.
Blogeri pro-Kremlinit Sergei Markov postoi në Telegram se Kuzminov ishte “eliminuar”.
“Ne nuk gëzohemi për vdekjen e askujt. Por ky lajm mund të shpëtojë shumë jetë, sepse i kujton të gjithëve: Shpëtoni jetën tuaj dhe mos bashkëpunoni kurrë me regjimin neofashist ukrainas për asgjë”, tha ai.
Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, paralajmëroi se vrasja e Kuzminov mund të nxisë rusët të ndërmarrin më shumë veprime të tilla.
“Nëse rusët ndihen aq të fuqizuar të veprojnë brenda Bashkimit Evropian saqë fillojnë të vrasin njerëz, çështja bëhet mjaft e ndërlikuar. Ky nuk është rasti i parë ku rusët sillen në këtë mënyrë,” tha ai për gazetën Ukrainska Pravda të hënën vonë.
Si rezultat i një prej rasteve më të pacipa në Evropë, agjenti rus Vadim Krasikov po vuan burgim të përjetshëm në Gjermani pasi qëlloi për vdekje ish-rebelin çeçen Zelimkhan Khangoshvili në parkun ‘Kleiner Tiergarten’ të Berlinit në vitin 2019. Prokurorët gjermanë thanë gjatë gjyqit të tij se Krasikov ndoshta ka vepruar me urdhrat e shërbimeve sekrete ruse.
Kremlini e ka mohuar në mënyrë të përsëritur përfshirjen, por presidenti rus Putin duket se i ka nënvlerësuar këto mohime me një koment të zhdrejtë në intervistën e tij këtë muaj me ish-prezantuesin e Fox News, Tucker Carlson.
Putin sugjeroi se ai mund të ishte i hapur për një shkëmbim që përfshin lirimin e Evan Gershkovich, një korrespondent i Wall Street Journal i mbajtur nën akuzat për spiunazh që ai dhe Departamenti i Shtetit i mohojnë me force, në këmbim të “një personi që vuan dënimin në një vend aleat me Shtetet e Bashkuara.”
Putin e përshkroi Krasikovin si “një person që për shkak të ndjenjave patriotike, eliminoi një bandit në një nga kryeqytetet evropiane”.
“Nëse ai e bëri atë me vullnetin e tij apo jo, kjo është një çështje tjetër”, shtoi Putin.
Autoritetet britanike fajësuan gjithashtu shërbimet ruse të sigurisë për helmimin fatal të Alexander Litvinenkos, një ish-oficer i Shërbimit Federal të Sigurisë dhe kritik i Putinit, në Londër në vitin 2006, dhe përsëri kur ish-agjenti rus i inteligjencës Sergei Skripal dhe vajza e tij Yulia u helmuan në Salisbury, Angli. në vitin 2018. Babë e bijë mbijetuan, por një shtetas britanik, Daën Sturgess, vdiq pasi preku shishen e hedhur të parfumit që përmbante agjentin nervor.
Ministria e Brendshme e Spanjës të martën nuk konfirmoi identitetin e trupit të gjetur në Villajoyosa. Hetuesit fillimisht kishin besuar se personi që vdiq ishte një ukrainas me një emër tjetër.
“Gjatë hetimeve që po kryhen, na ka rënë në sy se identiteti i këtij personi mund të jetë i rremë dhe mund të jetë i një personi tjetër. Guardia Civil po vazhdon me verifikimin e kësaj, por ne nuk jemi në gjendje të japim ndonjë informacion të mëtejshëm në këtë moment,” tha ministria në një deklaratë.
Mediat spanjolle cituan burime brenda Guardia Civil që konfirmonin se trupi ishte i Kuzminov. Dëshmitarët i thanë mediave vendase se persona të armatosur e qëlluan disa herë, më pas e shtypën me makinë dhe u arratisën.
Ukraina njoftoi me bujë të madhe në gusht një operacion inteligjence që e bindi Kuzminov të fluturonte me helikopterin e tij Mi-8 të ngarkuar me pjesë avionësh në Ukrainë për të dezertuar. Dy anëtarët e ekuipazhit që fluturonin me të nuk ishin në dijeni të komplotit dhe u qëlluan nga forcat ukrainase kur ata kundërshtuan të dorëzoheshin, sipas zyrtarëve.
Qeveria ukrainase më vonë njoftoi se piloti kishte marrë një shpërblim prej 500,000 dollarësh në monedhën vendase dhe nxiti anëtarët e tjerë të shërbimit rus të ndiqnin shembullin.
Kuzminov tregoi se si ndodhi dezertimi i tij në një intervistë në shtator të publikuar nga Inteligjenca e Mbrojtjes e Ukrainës.
“Kam kontaktuar me përfaqësuesit e inteligjencës ukrainase, u shpjegova gjendjen time, ndaj së cilës ata ofruan këtë mundësi: “Hajde, ne garantojmë sigurinë tuaj, garantojmë dokumente të reja, garantojmë kompensim monetar, një shpërblim”, tha ai.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani