Ish-kryeministri Sali Berisha, ka komentuar nga ballkoni i banesës para mbështetësve të tij gjendjen e rrugëve në vend.
Berisha u shpreh se rrugëve po u ndryshohen trajektoret që vjedhja të bëhet tërkuzë dhe fakti që ato ndahen në dhjetëra lote, tregon sipas Berishës, dhjetëra vjedhje në atë projekt.
Sali Berisha: Çdo ditë lajme që kanë në themel vjedhjen. Po pse shemben rrugët? Rrugët shemben se vidhen paratë dhe hidhet jo materiali që duhet, por bukë peshku.
Po pse ndryshohen trajektoret e rrugëve? Ndryshohen që vjedhja të bëhet tërkuzë. Po pse ndahen rrugët në dhjetëra e dhjetëra lote? Që të mund të vidhet dhjetëra e dhjetëra herë. Të gjitha këto janë realiteti më i hidhur që vrasin çdo ditë gjendjen ekonomike të shqiptarëve, varfërojnë, mjerojnë ata.
Ndër të tjera ai u ndal tek reforma në drejtësi, ku u shpreh se “Edi Rama ka krijuar mburojën më të tmerrshme gjyqësore, të vjedhjeve të tij monstruoze dhe të qeverisë së tij”.
“Edi Rama me reformën në drejtësi ka krijuar mburojën më të tmerrshme gjyqësore, të vjedhjeve të tij monstruoze dhe të qeverisë së tij. Nuk ka asnjë proces ndaj asnjë personi që nuk përcaktohet nga Edi Rama. Karakteri i kësaj drejtësie është më kriminali që ka ekzistuar. Çdo vendim shtyhet ne zyrat e Edi Ramës dhe dërgohet në SKAP apo në Gjykatë, që janë të mbushur me anëtar të grupeve kriminale”, tha ish-kryeministri.