Vendosni fjalën kyçe....

BE-ja me një strukturë të re për të luftuar pastrimin e parave


Një strukturë e re e Bashkimit Europian e konceptuar për të ndaluar pastrimin e parave dhe skemat për anashkalimin e sanksioneve do ta ketë bazën në Gjermani, në qytetin Frankfurt mbi Main, komunikoi presidenca belge e BE-së të enjten (22.02.2024).

Nëntë qytete konkurruan për vendosjen e selisë së autoritetit të BE-së AMLA (Anti-Money Laundering Authority): Brukseli, Dublini, Frankfurti, Madridi, Parisi, Riga, Roma, Vjena dhe Vilna. Parlamenti Europian dhe Këshilli Europian ranë dakord, që agjencia të vendoset në qytetin qendër të financave të Gjermanisë, Frankfurt, ku e ka selinë edhe Banka Qendrore Europiane.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha, se ky vendim do ta forcojë edhe më shumë Frankfurtin si një qendër financiare europiane.

Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner, u përpoq fort që Frankfurti të ishte selia e këtij autoriteti të BE-së, Lindner me mikrofon në dorë

AMLA do të luftojë aktivitetet ilegale financiare në BE

Agjencia, që do të luftojë pastrimin e parasë dhe terrorizmin financiar, do të ketë një personel prej rreth 400 punonjësish dhe do të nisë nga puna në vitin 2025.

Mungesa e një autoriteti të BE-së për të kontrolluar paratë ilegale e nxiti Komisionin e BE-së që të diskutojë në vitin 2021 lidhur me konceptimin e strukturës AMLA, që do të ndihmojë në koordinimin e luftës kundër aktiviteteve ilegale ndërkufitare financiare.

AMLA do të ketë kompetenca mbikqyrëse si dhe penalizuese në rastet e shkeljeve serioze ose të përsëritura.

Parlamenti i BE-së i involvuar në procesin e vendimmarrjes

Me votimin nga eurodeputetët të enjten (22.02.2024) ishte hera e parë që Parlamenti i BE-së u involvua në një process për përzgjedhjen e venddodhjes së një agjencie të BE-së.

Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner, u përpoq fort që Frankfurti të ishte selia e këtij autoriteti të BE-së, vuri në dukje ministria duke nënvizuar, se “jemi të kënaqur që përpjekja jonë rezultoi me sukses.” “Luftimi i krimit financiar është një prioritet kryesor për Gjermaninë dhe BE-në, e kjo do të vihet në jetë përmes AMLA-s në Frankfurt”, shkruajti në platformën X Ministria e Financave.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e DW