Një 49-vjeçar është arrestuar në flagrancë pasi dyshohet se kishte siguruar lëndë narkotike kokainë dhe e kishte ndarë në qindra doza me qëllim të shitjes së tyre.
Autoritetet kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme kokaine që u gjet në prani të të arrestuarit, si dhe në automjetin dhe banesën e tij. Gjithashtu janë sekuestruar një peshore elektronike, celulari i tij dhe automjeti që dyshohet se ai e përdorte për shpërndarjen e dozave të lëndës narkotike.
“Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të inteligjencës policore të siguruar në vijim të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli 2”, për një rast të shitjes në doza të kokainës, shërbimet operacionale dhe ato për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan kapën në flagrancë dhe arrestuan autorin e dyshuar të rastit, shtetasin A. U., 49 vjeç, banues në fshatin Tregan.
Nga kontrollet në automjetin dhe në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën sasi të lëndës narkotike kokainë, të ndarë në qindra doza, me qëllim shitjen.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”-njofton policia.