Vendosni fjalën kyçe....

Fermerët francezë sulmojnë panairin e bujqësisë para vizitës së Macron-it (Video)


Një grup fermerësh francezë sulmuan sot një panair të madh në Paris, përpara një vizite të planifikuar nga presidenti Emmanuel Macron mes zemërimit për kostot, burokracitë dhe rregulloret e gjelbra.

Duke u përballur me dhjetëra oficerë policie brenda panairit, fermerët bërtisnin dhe brohorisnnin, duke kërkuar dorëheqjen e presidentit francez.

“Kjo është shtëpia jonë!”, bërtitën ata, ndërsa rreshtat e policisë franceze kërkonin të frenonin demonstratën. Pati disa përplasje me demonstruesit dhe policia arrestoi të paktën njërin prej tyre.

Macron, i cili hëngri mëngjes me drejtuesit e sindikatës së fermerëve francezë, ishte planifikuar të shëtiste më pas në rrugicat e panairit.

 

“Po e them këtë për të gjithë fermerët: ju nuk po ndihmoni asnjë nga kolegët tuaj duke thyer stendat, nuk po ndihmoni asnjë nga kolegët tuaj duke e bërë të pamundur shfaqjen dhe në një farë mënyre duke i frikësuar familjet që të mos vijnë.” – u tha Macron gazetarëve pas takimit me krerët e sindikatave.

Shfaqja e fermave në Paris, një ngjarje e madhe në Francë, që tërheq rreth 600,000 vizitorë gjatë nëntë ditëve, ishte menduar të hapej në orën 9 të mëngjesit.

Në shenjë tensionesh mes fermerëve francezë dhe qeverisë, Macron anuloi një debat që donte të zhvillonte në panair me fermerët, përpunuesit e ushqimit dhe shitësit me pakicë, pasi sindikatat e fermerëve thanë se nuk do merrnin pjesë.

Fermerët kanë protestuar në të gjithë Evropën, duke bërë thirrje për të ardhura më të mira, më pak burokraci dhe duke denoncuar konkurrencën e pandershme nga mallrat e lira ukrainase të importuara për të ndihmuar përpjekjet e Kievit për luftë.

Fermerët francezë në fillim të këtij muaji pezulluan protestat që përfshinin bllokimin e autostradave dhe hedhjen e plehut organik përpara ndërtesave publike pasi kryeministri Gabriel Attal premtoi masa të reja me vlerë 400 milionë euro.