Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri shkrumbon kompleksin me 140 apartamente në Spanjë, 10 viktima (Video)


Numri i të vdekurve nga një zjarr dramatik që shkrumboi dy ndërtesa banimi në qytetin spanjoll të Valencias u rrit në 10 të shtunën pasi autoritetet njoftuan se kishin gjetur mbetjet e atij që ata besonin se ishte personi i fundit i zhdukur.

Policia mjeko-ligjore gjeti viktimën e 10-të brenda ndërtesës së djegur, u tha gazetarëve e dërguara e qeverisë, Pilar Bernabé. Policia do vijojë me provën e ADN-së për të konfirmuar identitetin e të gjitha viktimave, tha ajo.

Ndërsa nuk raportohet për persona të tjerë të zhdukur, Bernabé theksoi se policia dhe zjarrfikësit do vijojnë punën “e ndërlikuar” të krehjes së mbeturinave të ndërtesës në kërkim të ndonjë viktime tjetër të mundshme.

Nuk dihet menjëherë se sa njerëz ndodheshin në dy ndërtesa kur shpërtheu zjarri, por kompleksi kishte rreth 140 apartamente.

Zjarri që dukej se filloi në një shtëpi pasdite të së enjtes përfshiu pjesën tjetër të bllokut të apartamenteve 14-katëshe në më pak se një orë, duke ngritur pikëpyetje nëse materialet e ndërtimit të përdorura në fasadë mund të kenë ndikuar në përhapjen kaq të furishme të zjarrit.

Fqinjët përshkruan se kishin parë shpërthimin e shpejtë të flakëve, me banorët e mbërthyer në ballkone dhe fëmijët që bërtisnin. Ata që mbetën të pastrehë nga zjarri, duke përfshirë shumë refugjatë ukrainas që jetonin në kompleksin e madh të banimit, fillimisht u strehuan në hotelet e qytetit, por pritet të zhvendosen në vende të tjera gjatë fundjavës.

Ekspertët sugjeruan se një lloj veshjeje e murit mund të ketë bërë që zjarri të përhapet më shpejt. Megjithatë, kryebashkiaku i Valencias, María José Catalá tha se shkaku i zjarrit ishte ende i panjohur dhe se ishte shumë herët për të komentuar nëse disa materiale të përdorura në ndërtimin e kompleksit modern mund ta kishin përkeqësuar atë.