Zyrtarët amerikanë të zbatimit të ligjit kaluan vite duke shqyrtuar pretendimet se aleatët e presidentit të Meksikës, Andrés Manuel López Obrador, u takuan dhe morën miliona dollarë nga kartelet e drogës pasi ai mori detyrën, sipas të dhënave të SHBA-së dhe tre personave të njohur me këtë çështje.
Hetimi, i cili nuk është raportuar më parë, zbuloi informacione që tregonin për lidhje të mundshme midis operativëve të fuqishëm të karteleve dhe këshilltarëve e zyrtarëve meksikanë pranë presidentit, në kohën që ai qeveriste vendin.
Por Shtetet e Bashkuara nuk hapën kurrë një hetim zyrtar ndaj López Obrador dhe zyrtarët e përfshirë përfundimisht e anuluan hetimin. Ata arritën në përfundimin se qeveria e SHBA-së kishte pak oreks për të ndjekur akuzat kundër kreut të një prej aleatëve kryesorë të Amerikës, thanë tre personat e njohur me rastin, të cilët nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht.
López Obrador i quajti akuzat “plotësisht të rreme”, duke iu përgjigjur pyetjeve të The Neë York Times të enjten. Ai tha se lajmi i hetimit nuk do ndikonte “në asnjë mënyrë” në marrëdhëniet e Meksikës me Shtetet e Bashkuara, por tha se priste një përgjigje nga qeveria amerikane.
“A e pakëson kjo besimin që qeveria meksikane ka te Shtetet e Bashkuara?” – pyeti López Obrador në një konferencë të rregullt shtypi, duke shtuar: “Koha do ta tregojë”.
Kartelet e drogës kanë depërtuar prej kohësh në shtetin meksikan, nga nivelet më të ulëta deri në nivelet e larta të qeverisë. Ata paguajnë policinë, manipulojnë kryetarët e bashkive, zgjedhin zyrtarë të lartë dhe dominojnë zona të gjera të vendit.
Por ndërsa përpjekjet e fundit nga zyrtarët amerikanë identifikuan lidhje të mundshme midis karteleve dhe bashkëpunëtorëve të presidentit meksikan López Obrador, ata nuk gjetën ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë midis vetë presidentit dhe organizatave kriminale.
“Nuk ka asnjë hetim për Presidentin López Obrador”, tha një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë. “Departamenti i Drejtësisë ka përgjegjësinë të shqyrtojë çdo pretendim.”
Pjesa më e madhe e informacionit të mbledhur nga zyrtarët amerikanë erdhi nga informatorë, llogaritë e të cilëve mund të jenë të vështira për t’u vërtetuar dhe ndonjëherë përfundojnë të pasakta. Hetuesit e morën informacionin duke parë veprimtaritë e karteleve të drogës dhe nuk ishte e qartë se sa nga ato që u thanë informatorët u konfirmuan në mënyrë të pavarur.
Për shembull, të dhënat tregojnë se hetuesve iu tha një informator se një nga të besuarit më të afërt të López Obrador u takua me Ismael Zambada García, një udhëheqës i lartë i kartelit Sinaloa, përpara fitores së tij në zgjedhjet presidenciale të 2018-ës.
Një burim tjetër u tha atyre se pasi u zgjodh presidenti, një themelues i kartelit famëkeq të dhunshëm Zetas u pagoi 4 milionë dollarë dy aleatëve të López Obrador me shpresën për t’u liruar nga burgu.
Hetuesit morën informacion nga një burim i tretë që sugjeronte se kartelet e drogës kishin në posedim video të djemve të presidentit që merrnin paratë e drogës, tregojnë të dhënat.
López Obrador mohoi të gjitha pretendimet e bëra nga informatorët.
Oficerët e zbatimit të ligjit të SHBA-së gjithashtu gjurmuan në mënyrë të pavarur pagesat nga njerëzit që ata besonin se ishin operativë të kartelit për ndërmjetësit e López Obrador, thanë dy nga njerëzit e njohur me hetimin.
Të paktën një nga këto pagesa, thanë ata, është bërë në të njëjtën kohë kur López Obrador udhëtoi në shtetin e Sinaloas në vitin 2020 dhe takoi nënën e kreut të kartelit të drogës, Joaquín Guzmán Loera, i cili njihet më mirë si ‘El Chapo’ dhe është tani po vuan dënimin e përjetshëm në një burg federal amerikan.
Më shumë se një dekadë më parë, një hetim i veçantë i udhëhequr nga DEA zbuloi akuza se trafikantët kishin dhuruar miliona dollarë për fushatën e pasuksesshme presidenciale të López Obrador në vitin 2006. Ky hetim, i cili u detajua nga tre media muajin e kaluar, u mbyll pa akuza.
Për Shtetet e Bashkuara, ndjekja e akuzave penale kundër zyrtarëve të lartë të huaj është një ndërmarrje e rrallë dhe e ndërlikuar. Ngritja e një çështjeje ligjore kundër López Obrador do ishte veçanërisht sfiduese. Herën e fundit që Shtetet e Bashkuara ngritën kallëzime penale kundër një zyrtari të lartë meksikan, ato përfundimisht i tërhoqën pasi arrestimi i tij shkaktoi një përçarje diplomatike me Meksikën.
Administrata Biden ka një interes të madh në menaxhimin e marrëdhënieve të saj me López Obrador, i cili shihet si i domosdoshëm për të frenuar një rritje të emigrimit që është bërë një nga çështjet më të diskutueshme në politikën amerikane. Është një shqetësim i madh për votuesit në prag të zgjedhjeve presidenciale të kësaj vjeshte.
Meksika është gjithashtu një partner kryesor tregtar amerikan dhe bashkëpunëtori i vetëm më i rëndësishëm në përpjekjet e SHBA-së për të ngadalësuar kalimin e kufirit jugor të drogave të paligjshme si fentanili.
Agjencitë e zbatimit të ligjit të SHBA-së kanë juridiksion për të hetuar dhe ngritur akuza kundër zyrtarëve të vendeve të tjera nëse ata mund të tregojnë një lidhje me narkotikët që lëvizin përtej kufirit në Shtetet e Bashkuara.
Ndërsa është e pazakontë që agjentët amerikanë të ndjekin zyrtarë të lartë të huaj, nuk është e paprecedentë. Gjyqi i drogës ndaj Juan Orlando Hernández, ish-presidentit të Hondurasit, filloi këtë javë në Gjykatën Federale të Qarkut në Manhatan.
Prokurorët federalë në Nju Jork siguruan gjithashtu një dënim për korrupsion vitin e kaluar kundër Genaro García Luna, ish-Sekretarit të Sigurisë Publike të Meksikës, duke bindur një juri se ai kishte marrë miliona dollarë ryshfet nga kartelet e dhunshme që ai duhej të zbulonte e kapte.
Ndërkohë që përpjekjet për të shqyrtuar aleatët e López Obrador nuk janë më aktive, zbulimi se zyrtarët e zbatimit të ligjit të SHBA po shqyrtonin në heshtje akuzat për korrupsion kundër tyre mund të jetë vetë i dëmshëm.
Raportet e mediave të muajit të kaluar, duke përfshirë një nga ProPublica, rreth një hetimi të SHBA-së për donacionet e fushatës së vitit 2006, në zgjedhjet që Lopez Obrador nuk i fitoi, ndezën një stuhi të vërtetë në Meksikë.
López Obrador i denoncoi publikisht raportet, duke lënë të kuptohet se ato synonin të ndikonin në zgjedhjet presidenciale të vendit në qershor, në të cilat e mbrojtura e tij, ish-kryebashkiakja e kryeqytetit të Meksikës, Claudia Sheinbaum, po udhëheq garën për ta zëvendësuar. Ai sugjeroi se raportet mund të ndërlikojnë bisedimet për emigracionin dhe fentanilin me qeverinë amerikane dhe tha se konsideronte të mos e priste këshilltarin e Presidentit Biden për sigurinë kombëtare për një takim të planifikuar në kryeqytetin meksikan.
“Si do ulemi në tavolinë duke folur për luftën kundër drogës nëse ata ose një nga institucionet e tyre nxjerr informacione dhe më dëmton mua?” – tha López Obrador tha në një konferencë të rregullt shtypi disa ditë pas publikimit të tregimeve.
Pasi Presidenti Biden e telefonoi López Obrador, duke qetësuar gjakrat, ministri i Jashtëm meksikan tha se këshilltari i sigurisë së brendshme të SHBA-së i tha Meksikës “se kjo është një çështje e mbyllur për ta”.
Administrata Biden e ka trajtuar me shumë kujdes presidentin meksikan López Obrador, duke shmangur kritikat publike në favor të dërgimit të përsëritur të zyrtarëve të lartë në Mexico City për t’u takuar me të dhe për të bërë presion për zbatimin e marrëveshjes për emigracionin privatisht.
Vendimi për të lënë hetimin e fundit “të fjetur”, thanë njerëzit e njohur me të, u shkaktua në një pjesë të madhe nga zbërthimi i një rasti të veçantë, shumë të diskutueshëm korrupsioni. Në muajt e fundit të administratës Trump në vitin 2020, zyrtarët amerikanë ngritën akuza kundër Gjeneralit Salvador Cienfuegos Zepeda, i cili shërbeu si Ministër i Mbrojtjes i Meksikës nga viti 2012 deri në vitin 2018.
Në një aktakuzë federale, të zbuluar në Nju Jork pas një hetimi shumëvjeçar të quajtur “Operacioni Padrino”, prokurorët akuzuan Gjeneralin Cienfuegos për përdorimin e kompetencave të zyrës së tij për të ndihmuar një grup të dhunshëm kriminal të quajtur karteli H-2 të kryente operacionet e tij të trafikut të drogës.
Arrestimi i tij në aeroportin e Los Anxhelosit provokoi bujë brenda qeverisë meksikane, veçanërisht midis drejtuesve të forcave të armatosura të vendit, të cilat kanë marrë përgjegjësi dhe pushtet më të madh nën López Obrador.
Presidenti tha se akuzat ishin “të sajuara” dhe administrata e tij publikoi më shumë se 700 faqe komunikimesh të përgjuara nga agjentët e SHBA-së, të cilat pretendonin të tregonin aktivitet kriminal, por që u hodhën poshtë si jo bindëse.
DEA, e cila tashmë kishte një histori të ndërlikuar si protagoniste në një luftë droge që shihej si e përgjakshme dhe e kotë, pësoi një goditje të jashtëzakonshme në marrëdhëniet e saj me qeverinë meksikane.
Vetëm disa javë pasi u bë arrestimi, Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, nën presionin e madh të López Obrador, u tërhoq dhe hodhi poshtë aktakuzën, duke e kthyer Gjeneralin Cienfuegos në Meksikë.
Episodi jo vetëm që dëmtoi marrëveshjet e gjata të sigurisë midis dy vendeve, por la gjithashtu një përshtypje të errët te oficerët e zbatimit të ligjit në veri të kufirit, shumë prej të cilëve e panë rastin e dështuar si një tregim paralajmërues për ndërmarrjen e përpjekjeve të ngjashme kundër zyrtarëve të tjerë të lartë meksikanë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e NY Times
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani