Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Tiranës lë në burg Ahmetsulajn për atentatin e Don Boskos, zbulohet komunikimi me Kevin Suçin


Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Roland Ahmetsulajn, i cili ishte arrestuar në kuadër të hetimit për vrasjen e Erion Çelës në zonën e “Don Boskos”, si dhe plagosjen e shtetasve Blerim Çelës, Edmond Crrojit, Arben Danit dhe Azbi Selimajt.

Ahmetsulaj ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen por ka rrëfyer para gjykatës bisedën që ka bërë me Kevin Suçin (Zeneli) për rregullimin e makinës.

“Nuk kam lidhje me ngjarjen. Dy ditë para vrasjes kam patur bisedën me Kevin Suçin për rregullim makine. Më ka marrë për makinën nëse është rregulluar ose jo”, tha para gjykatës i riu, përcjell Report TV.

Policia ka deklaruar se ka regjistruar një numër të madh komunikimesh në orarin e ngjarjes, por avokati i Ahmetsulajt thotë se biznesi i tij ndodhet vetëm 700 metra larg vendit të ngjarjes dhe komunikimet kanë qenë për qëllime pune. Ndërkaq, bashkëpunëtorët e drejtësisë, Indrit e Gentjan Beqiraj, nuk e kanë përmendur emrin e klientit të tij, sipas avokatit.

Sipas hetimeve shtetasi Kasandër Noga në bashkëpunim me shtetasin Kevin Zeneli (Suçi), kanë zhvilluar takime dhe biseda, kanë siguruar dhe kanë dhënë shuma monetare, me qëllim vrasjen e shtetasit Geron Hasanbelliu por është ngatërruar shënjestër duke ekzekutuar gabimisht Erion Çelën e plagosur 4 të tjerë.