Vendosni fjalën kyçe....

Lajçak: Shumë pikëpyetje politike për çështjen e dinarit serb në Kosovë mbetën pa përgjigje


I dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak tha të martën se duhen takime shtesë ndërmjet palëve për të zgjidhur çështjen e përdorimit të dinarit serb në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Ai i bëri këto komente në rrjetet sociale pas takimit me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, duke theksuar se mirëpret angazhimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga rregullorja e fundit e Bankës Qendrore të Kosovës.

Ai shkroi në rrjetet sociale se “takimi i sotëm i dialogut ishte një hap i parë i rëndësishëm, por shumë pikëpyetje politike mbeten pa përgjigje. Do të nevojiten takime shtesë”, shkroi ai.

Ekipi i Serbisë udhëhiqej nga kryenegociatori Petar Petkoviç ndërsa nga Kosova mori pjesë Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Ahmet Ismaili. Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi refuzoi të marrë pjesë në takim pasi sipas tij “çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut”.

Banka Qendrore e Kosovës tha përmes një komunikate se në takimin me të dërguarin evropian Lajçak, “autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK-së dhe rregullimi i vendosur nuk u vu në diskutim apo kontestua nga Bashkimi Evropian, por janë ngritur disa brenga për ndikimin e mundshëm te qytetarët tanë të komunitetit serb.

Në komunikatë thuhet se gjatë takimit me një delegacion të ministrisë se Financave të Serbisë, janë diskutuar “mundësitë e paraqitura nga BQK-ja dhe u argumentua mundësia dhe lehtësia e realizimit të tyre në praktike nëse një vullnet i tillë ekziston nga pala dërguese, pa asnjë ndryshim të kornizës ligjore në fuqi”.

Kryenegociatori i Serbisë Petar Petkoviç tha pas takimit se vendimi i njëanshëm i autoriteteve në Prishtinë nënkupton kërkimin e një zgjidhjeje përmes nivelit politik.

“Pasojat e një vendimi të tillë të njëanshëm janë politike dhe ndikojnë në mbijetesën e popullit serb në Kosovë. Kur (Besnik) Bislimi thotë se nuk duhet të vijë në Bruksel sepse çështja e dinarit nuk është temë për dialog, do t’ju them se dinari dhe sistemi i pagesave të Republikës së Serbisë nuk janë diskutuar asnjëherë në dialog deri më tani, por duke qenë se ky vendim ndikon drejtpërdrejt në jetën e serbëve në Kosovë, e shkel vetë procesin e normalizimit të marrëdhënieve. Sigurisht që do të diskutohet, të bisedohet në Bruksel, atëherë ku do të flasin, nëse jo këtu?”, tha ai.

Zoti Petkoviç tha se Beogradi do të bëjë gjithçka për të arritur një zgjidhje në Bruksel ndërsa theksoi se kanë kërkuar që të hiqen pjesët e diskutueshme të rregullores, por edhe që Banka e Postës së Serbisë të vazhdojë të funksionojë në Kosovë.

Takimet e sotme pasuan rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë. Rregullorja që ka hyrë në fuqi me një shkurt, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi si dhe në tensionet ndërmjet palëve.

Diplomatët i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re.

Takimi i së martës ndodhi në njëvjetorin e arritjes së marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, e cila ende nuk ka filluar të zbatohet.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi shkroi sot në rrjetet sociale se Serbia ende refuzon ta nënshkruajë e rrjedhimisht dhe zbatojë marrëveshjen një vit pas pajtimit. Ai tha se përgjatë kësaj periudhe një vjeçare Kosova është përballur me shkeljet e marrëveshjes nga Serbia dhe përshkallëzimin e situatës në terren.

Me 27 shkurt të vitit të kaluar udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan për një marrëveshje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve, por pa nënshkrim të saj. Në marrëveshje nuk përfshihet njohja e ndërsjellë, ndonëse kërkohet që palët të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës./VOA