Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky në Tiranë – Ministria e Jashtme bie viktimë e humoristëve rusë


Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka rënë viktimë e humoristëve rusë duke shpërndarë një postim të një faqeje të krijuar me emrin e Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky.

Në postimin e faqes ata e quajnë Shqipërinë “vend të pasur” e cila me financat e saj “do forcojë demokracinë dhe lirinë” duke ironizuar varësinë akute ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

“Jam i kënaqur për takimin me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Igli Hasani. Ne do diskutojmë për çështjen e Krimeas, Kosovës dhe mbështetjen për Ukrainën. Shqipëria është një vend i pasur, kështu shpresoj që për pjesëmarrjen e saj financiare në fuqizimin e demokracisë dhe lirisë”-thuhej në postimin ironik.

Duket se faqja ruse ka dashur që të ironizojë samitin e zhvilluar në Tiranë “Ukrainë, Europa Juglindore” një takim i liderëve të këtyre vendeve me Zelenskyn një përpjekje e Perëndimit për të ndihmuar në luftë Ukrainën përballë Rusisë.

Edhe pse faqja e MEPJ-së në rrjetin “X” ra viktimë e këtij postimi me sa duket e kanë kuptuar gabimin dhe postimin e kanë hequr në një moment të dytë, duke lënë vetëm zhvillimet dhe postimet zyrtare nga prezenca në Tiranë e Zelenskyt.