Një plagosje me armë zjarri është regjistruar pasditen e sotme në qytetin e Pogradecit. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të karburantit të qytetit.
Policia e Pogradecit dha detaje pas plagosjes me armë zjarri duke theksuar se ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Tushemishtit”.
Bëhet me dije se i plagosur ka mbetur shtetasi Alted Jolldashi, 35-vjeç, i cili ka përfunduar në spitalin e qytetit.
Autori i ngjarjes, shtetasi, D. M. E ka ndjekur 35-vjeçarin me qëllim për ta vrarë atë, ndërsa ky i fundit është larguar me shpejtësi nga vendi i krimit.
Kjo mbështetet edhe mbi gjurmët e gjakut që ndodhen në rrugë. Mësohet se ndaj Olldashit është qëlluar katër herë, ndërsa vetëm dy prej plumbave e kanë kapur atë, një në pjesën e këmbës dhe një tjetër në pjesën e shpatullës.
“Më datë 01.03.2024, rreth orës 16:30, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Tushemishtit”, gjatë një konflikti të çastit, dyshohet se ka mbetur i plagosur me armë zjarri shtetasi A. J., 35 vjeç, i cili u dërgua në spitalin e Pogradecit për ndihmë mjekësore, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të ngjarjes shtetasit D. M. Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit, me qëllim kapjen dhe vënien para përgjegjësisë të autorit të dyshuar. Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, sqaroi policia.