Vendosni fjalën kyçe....

Rama nis turin e takimeve: Në 2025 duhet të marrim një fitore më të madhe sesa e mëparshmja


Kryeministri Edi Rama ka zbritur në terren dhe ka nisur turin e takimeve me organizatat e Partisë Socialiste në të gjithë Shqipërinë.

Këtë tur kreu socialist e nisi nga Elbasani, ku u takua me anëtarët e dy organizatave socialiste.

Në fjalën e tij Rama u shpreh se duhet një rienergjizim i organizatës së PS, ndërsa synimi janë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas tij në 2025 PS duhet të marrë një fitore më të madhe sesa ajo e mëparshmja.

“Jo rastësisht unë erdha për të takuar dy organizata të Partisë Socialiste dhe jo vetëm drejtuesit, deputetët me të cilët takohemi zakonisht dhe po kështu do të shkoj në të gjithë Shqipërinë gjatë këtyre ditëve për të takuar organizatat socialiste.

Ne, falë faktit që kemi punuar seriozisht, falë faktit që jemi organizuar mirë, falë faktit që jemi angazhuar më shumë se të tjerët, kemi arritur diçka që në fillim, kur morëm këtë detyrë, dukej e pamundur. Kemi arritur që të marrim dy mandate me një shumicë të pavarur nga të tjerët.

Partia Socialiste duhet të jetë në gjendje që të ruajë lidershipin, të garantojë hegjemoninë e vet në jetën politike shqiptare. Ne na duhet një rienergjizim i organizatës së Partisë Socialiste, në radhë të parë, dhe pastaj një rienergjizim i strukturave tona më lart dhe një rienergjizim i gjithë procesit qeverisës. Ne, në 2025 duhet të marrim një fitore më të madhe sesa e mëparshmja”, tha Rama.