Kryeministri Rama tha në ceremoninë e përurimit të bazës së NATO-s në Kuçovë se ajo do rrisë sigurinë e vendit dhe rajonit nga kërcënimi rus si dhe do shërbejë si pikë stabiliteti e paqeje.
Teksa kujtoi me jo pak ironi vizitën e ish-kreut të Bashkimit Sovjetik në Shqipëri, ai tha se Shqipëra nga një vend strategjik i perandorisë sovjetike sot është një vend strategjik i NATO-s.
“Jam këtu si përfaqësues i një gjenerate tjetër që pa ndryshimet demokratike. Po i referohem një fragmenti të Zerit të Popullit në maj të 1954-ës kur në Shqipëri erdhi udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik. Gazeta shkruante; të vdekur po kërcënenin nga gëzimi dhe lulet atë maj kishin çelur me herët për të pritur Hrushovin. Në atë kohë Shqipëria në këtë bazë që rihapet sot, konsiderohej si vend strategjik i perandorisë sovjetike përballë botës perëndimore. Jam i lumtur që një punë e nisur prej kohës arritur përfundoi dhe këtu bashkë me ne janë plot miq partnerë aleatë. Ministri i Mbrojtjes së Italisë ka ardhur me disa avionë luftarakë me vete.
Do të falënderoja miqtë dhe aleatët tanë turq të cilët për 3 dekada e mbajtën gjallë frymën e kësaj baze e cila sot është e transformuar dhe e gatshme si një bazë taktike e NATO-s me një rëndësi që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë. Është një element sigurie për rajonin e Ballkanit tonë Perëndimor pasi është një rajon i kërcënuar nga Rusia. Riaktivizimi i këtij aeroporti ushtarak është pjesë e rritjes së mëtejshme të flotës sonë ajrore.
Dy helikopterët Black Hawk dhe dronët Bayraktar janë pjesë e rritjes që do vazhdojë. Falënderoj banorët e zonës, për durimin që kanë treguar gjatë rehabilitimit dhe rindërtimit të kësaj baze. Urojë që baza taktike e NATO-s të sjellë për ta mundësi të reja punësimi duke ndikuar në ekonominë lokale. Këtu në Kuçovë ishin sistemuar një numër jo i vogël avionësh bombardues. Lufta do të niste me bombardimin e Vjenës, Shtutgartit. Sot jemi në anën tjetër. Shqipëria mirëpret aleatët e saj dhe partnerët në një aleancë që është aleancë vlerash në mbrojtje të paqes dhe demokracisë. Unë jam i lumtur sot që këtu janë miq, partnerë aleatë dhe doja t’i falënderoja. Doja të falënderoja ministrin e brendshëm të Italisë, që ka marrë dhe avionë luftarakë me vete.” – tha Rama.