Vendosni fjalën kyçe....

Borxhi publik u tkurr edhe në vlerë me 90 mln euro më 2023, rënie për të dytin vit radhazi


Stoku i borxhit publik në raport me Prodhimin e Brendshëm bruto (PBB) ka shënuar ulje pas pandemisë, por rënia është reflektuar edhe në vlerë neto vitin e fundit.

Në 2023 stoku i borxhit në vlerë arriti në 1,36 triliardë lekë ose 90 milionë euro më pak se në vitin 2022. Detyrimet neto në përqindje shënuan rënie vjetore me 0.7 për qind për të dytin vit radhazi. Kjo ishte rënia më e fortë në vlerë e borxhit përgjatë tre dekadave të fundit.

Përgjatë viteve të fundit borxhi publik në raport me PBB kanë qenë në rënie, por në vlerë ishte në rritje. Zakonisht rezultatet e detyrimeve maten me PBB pasi sa më shumë rritet ekonomia aq më shumë rritën kapacitet e vendit për shlyer.

Por duke qenë se Shqipëria nuk e përkthen rritjen e ekonominë në më shumë arkëtime në buxhet, rënia e borxhit në vlerë lehtëson buxhetin e shtetit dhe krijon më shumë hapësira për shpenzime të tjera.

Vitin e kaluar borxhi publik arriti në 59.2% e PBB-së, niveli më i ulët nga viti 2008. Ulja e borxhit në masë të madhe u ndihmua nga mosrealizimi i shpenzimeve publike sipas planit. Ministria e Financave përdori një pjesë të tepricave për shlyerjen e borxhit.

Qeveria miratoi në fillim të këtij viti ndryshimet e para në buxhet duke shtuar planin e të ardhurave të përgjithshme me 10,6 miliardë lekë, ku rreth 40% e shumës u rialokua për investime publike dhe uljen e borxhit.

Gjatë periudhës nga viti 2017 deri në vitin 2019, Borxhi i Qeverisjes Qendrore ka qenë në një trajektore rënëse duke shënuar një rënie me 4.4 p.p. Gjatë vitit 2020 dhe 2021, borxhi i Qeverisjes Qendrore shënoi rritje duke kapur nivelin prej 73.1% e PBB në fund të vitit 2021.

Rritja e nivelit të borxhit gjatë dy viteve të fundit ka ardhur si rezultat i nevojave më të larta për financim në këto vite si pasojë e situatës së krijuar pas tërmetit të vitit 2019, pandemisë Covid-19, si dhe nevojës për të stimuluar rimëkëmbjen e ekonomisë pas rënies së madhe që pati në vitin 2020.

Rishikimi i projeksioneve për rritjen nominale të rritjes ekonomike ka sjellë një rishikim dhe të treguesit të borxhit ndaj PBB, kur për vitin 2021 Borxhi i Qeverisjes Qendrore u vlerësua në nivelin 73.1% e PBB, nga 78.1% që ishte sipas parashikimeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me PBB fillestare.

Në raport me PBB borxhi pësoi rënie të shpejtë më vitin 2023 si rrjedhojë e rritje së të ardhurave buxhetore shumë më tepër se shpenzimet. Rënia e borxhit në vlerë ndihmon buxhetin të ule koston e shërbimit të borxhit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor