Këshilli i Ministrave vendosi këtë të mërkurë për krijimin, organizimn dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës.
Agjencia do të financohet nga buxheti i shtetit, nga donacione dhe nga burime të tjera të ligjshme.
Misioni i Agjencisë do të jetë që të kontribuojë, të nxisë e të promovojë rritjen e vlerave dhe të traditave më të mira kombëtare të diasporës.
V E N D I M
PËR KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË DIASPORËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të neneve 6 e 18, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
- Krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës (në vijim, Agjencia), si person juridik publik buxhetor në varësi të ministrisë përgjegjëse për çështjet e diasporës (në vijim, ministria), me seli në Tiranë.
- Agjencia financohet nga buxheti i shtetit, nga donacione dhe nga burime të tjera të ligjshme. Buxheti i Agjencisë përbën zë të veçantë në buxhetin e ministrisë.
- Misioni i Agjencisë është të kontribuojë, të nxisë e të promovojë rritjen e vlerave dhe të traditave më të mira kombëtare të diasporës.
- PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË AGJENCISË
Agjencia, në funksion të përmbushjes së veprimtarisë së saj, ka përgjegjësi të organizojë punën për:
- a) përmirësimin e pozitës së diasporës dhe mbrojtjen e të drejtave dhe të interesave të saj, aty ku gjendet;
- b) ofrimin e ndihmës për ruajtjen e gjuhës e të trashëgimisë kulturore kombëtare;
- c) nxitjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës;
ç) bashkëpunimin për prosperitet, paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror të të gjithë kombit.
III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AGJENCISË
- Agjencia organizohet në nivel qendror dhe ushtron veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
- Me qëllim përmbushjen e misionit e të përgjegjësive funksionale të saj, Agjencia:
- a) merr masa për krijimin e bazës unike të të dhënave të diasporës, në bazë të vullnetit të lirë të personit. Ruajtja dhe përpunimi i të dhënave personale bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale;
- b) zbaton politika dhe projekte që lidhen me diasporën;
- c) ndjek zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Diasporës;
ç) mban lidhjet ndërmjet diasporës, përfaqësuesve të saj dhe vendit të origjinës;
- d) bashkëpunon e koordinon aktivitetet me institucionet shtetërore, shoqërinë civile dhe organizatat brenda dhe jashtë vendit, për përmirësimin e pozitës së diasporës në botë;
- dh) ndihmon për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, të vlerave kombëtare dhe kulturore të diasporës;
- e) informon diasporën për zhvillimet në vendin e origjinës, me qëllim përfshirjen e tyre në jetën politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të Republikës së Shqipërisë;
ë) bashkëpunon me organizma vendas e ndërkombëtarë me fusha të ngjashme veprimtarie, me qëllim përthithjen e praktikave më të mira dhe krijimin e urave të bashkëpunimit.
- Agjencia drejtohet nga titullari i Agjencisë, i cili organizon e drejton veprimtarinë e saj, përfaqëson Agjencinë në marrëdhënie me të tretët dhe përgjigjet para ministrit.
- Struktura dhe organika e Agjencisë miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
- Shërbimet e brendshme mbështetëse dhe funksionet e menaxhimit financiar realizohen nga strukturat përgjegjëse për këto funksione në ministri.
- Marrëdhëniet e punës së titullarit të Agjencisë dhe nëpunësve të saj rregullohen sipas dispozitave të ligjit për nëpunësin civil, ndërsa marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.
- Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të Agjencisë miratohet nga ministri, me propozim të titullarit të saj.
- Agjencia ka stemën, logon dhe vulën e saj zyrtare. Stema e saj përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Agjencia Kombëtare e Diasporës”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave, për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë.
- Vula e Agjencisë ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
- DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
- Deri në fillimin e funksionimit të plotë të Agjencisë sipas këtij vendimi, të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë funksionale të Agjencisë Kombëtare të Diasporës si agjenci autonome do të vijojnë të ushtrohen sipas strukturës dhe organikës së miratuar.
- Buxheti i planifikuar për Agjencinë Kombëtare të Diasporës si agjenci autonome dhe të gjitha asetet e saj transferohen pranë Agjencisë së krijuar sipas këtij vendimi.
- Nëpunësit civilë aktualë dhe punonjësit aktualë të Agjencisë Kombëtare të Diasporës, marrëdhëniet e punës së të cilëve rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës, trajtohen përkatësisht sipas dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil dhe Kodit të Punës, në rastin e mbylljes e të ristrukturimit të institucionit.
- Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Financave, Departamenti i Administratës Publike dhe Agjencia Kombëtare e Diasporës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA