Vendosni fjalën kyçe....

Detyrimet e prapambetura zbresin në nivelin më të ulët, 7.85 miliardë lekë në dhjetor 2023


Ngadalësohet ndjeshëm rritja e çmimeve, Inflacioni zbret në 2.6%, niveli më i ulët nga tetori 2021

Detyrimet e prapambetura në dhjetor 2023 kanë zbritur në 7.85 miliardë lekë, që rezulton niveli më i ulët që nga nisja e monitorimeve periodike nga Ministria e Financave në vitin 2016.

Sipas të dhënave përfundimtare të MF, rezulton se në dhjetor 2023, njësitë e qeverisjes qendrore kishin 3.01 miliardë lekë detyrime për të paguar, ndërsa ato të qeverisjes vendore rreth 4.84 miliardë lekë.

Krahasuar me detyrimet e prapambetura të raportuara në shtator 2023, rezulton që në fund të vitit, ato të jenë ulur me rreth 12.5 miliardë lekë, ose rreth 61.5% më pak.

Gjithashtu, detyrimet rezultojnë rreth 4.15 miliardë lekë më të ulëta edhe krahasuar me periudhën e fundvitit 2022.

Për të veçuar gjithashtu është se deri në fund të vitit 2023 nuk rezulton asnjë detyrim i prapambetur sa i përket rimbursimit të TVSH-së.

Në Programin e Reformave Ekonomike, të ndarë edhe me Bashkimin Europian, targeti vjetor i detyrimeve të prapambetura të qeverisjes së përgjithshme si përqindje e totalit të shpenzimeve për vitin 2023 ishte vendosur niveli poshtë 2.4%.

Me këtë gjendje detyrimesh të prapambetura, rezulton që ato të jenë në nivelin rreth 1.16% të shpenzimeve të përgjithshme për vitin e kaluar, duke tejkaluar kështu realizimin e targetit vjetor të Programit të Reformave Ekonomike (ERP).

Referuar ndarjes së niveleve të qeverisjes në qëndor dhe vendor, rezulton që detyrimet e prapambetura në nivel qëndror të jenë ulur me 9.5 miliardë lekë, krahasuar me shtatorin 2023. Ndërsa në nivel vendor, stoku i detyrimeve të prapambetura ka zbritur me rreth 3 miliardë lekë, krahasuar me shtatorin 2023.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor