Vendosni fjalën kyçe....

Flutura Açka flet për negociatat për normalizimin e Parlamentit: Pakti i ndyrë Rama-Berisha


Deputetja e PD-së, Flutura Açka, i ka quajtur “pakt të ndyrë Rama-Berisha” negociatat e fshehta mes kryetarëve të grupeve parlamentare, Bledi Çuçi dhe Gazment Bardhi për normalizimin e Parlamentit.

Deputetja Açka shkruan se demokratët dhe aargatët e Shqipërisë janë në vigjilje të paktit të ndyrë Rama-Berisha.

Flutura Açka shkruan se ky është pakti i dytë mes kreut të qeverisë dhe ish-kryeministrit, pas atij në vitin 2008.

Postimi i Flutura Açkës:

Pasi ia hodhëm Bashës në mirëbesim të plotë, pasi ia hodhëm Berishës në izolim të plotë, pasi ia hodhëm ndërkombëtarëve në rrenë të plotë, do t’ia hedhim Ramës në dominim të plotë.

Iluzioni është një pjatë që hahet e vakët, por…

Siç thotë Linkolni, iluzioni është një ngrehinë e bukur, por askush nuk dëshiron të banojë aty.

Demokratët dhe argatët e kësaj Shqipërie në vigjilje tē paktat të dyrë Rama-Berisha:

Diaspora? Lista të hapura? Veting politikanësh? Autoritet për SPAK-un?

Jo, faleminderit!

Pakti i parë Rama-Berisha, prill 2008

Pakti i dytë Rama-Berisha, prill 2024

Mbani shënim, do t’ju duhet kur t’ia vijë koha për t’u ankuar.

Në foto: Titulli i një shkrimi të gazetarit dhe poetit Halil Matoshi

Negociatat e “fshehta”

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla mbodhi krerët e grupeve parlamentare për zgjidhur pas 5 muajsh ngërçin politik të krijuar në Kuvedin e Shqipërisë dhe në Komisionet Parlamentare.

Në takim ishin të pranishëm Bledi Çuçi, Gazment Bardhi, Dashamir Shehi dhe Mesila Doda, ku kryetarja e Kuvendit u ka kërkuar kryetareve të grupeve parlamentare që të gjejnë një zgjidhje për krizën parlamentare.

Mësohet se pas negociatave intensive të 2 javëve të fundit mes kryetarit të grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçit dhe homologut të tij demokrat Gazment Bardhit, pritet që opozita të heqë dorë nga strategjia bllokuese që në seancën e 21 marsit. Kompromisi, që me shumë gjasë, sipas burimeve të konfirmuara, do të finalizohet në fillimin e javës së ardhshme, është arritur pasi socialistët kanë pranuar një nga dy kërkesat e panegociueshme të demokratëve, atë për Komisionet Hetimore, ndonëse pjesërisht. Shumica ka pranuar 2 prej 8 kërkesave të opozitës për ngritjen e Komisioneve Hetimore, por nuk bëhet e ditur se cilat prej tyre.

Gjuha e kompromisit nuk është gjendur ende për kërkesën tjetër, atë të propozimeve të demokratëve për ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore, përfshirë dhe bashkëkryetarin. Në vijimësi të negociatave, kryeparlamentarja Lindita Nikolla mblodhi krerët e grupeve parlamentare për të zgjidhur ngërçin politik.

Mësohet se ajo ka takuar Gazment Bardhin, Dashamir Shehin e Mesila Doda. Burime pranë PS e PD së drejtuar nga Sali Berisha bëjnë më dije se kompromisi është i mundshëm. Në lidhje me kërkesën e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore mësohet se është rënë dakord që të ngrihen 2 komisione, pasi të rishihet objekti. Por kjo është pjesa më e lehtë e negociatave, pasi opozita tashmë e ka goditur ligjin e ri për komisionet hetimore në Gjykatën Kushtetuese dhe kritikat e saj do të marrin përgjigje nga kjo gjykatë. Negociata më e vështirë mbetet reforma zgjedhore.

PD e drejtuar nga Berisha kërkon të ketë udhëheqjen e kësaj reforme në emër të opozitës, duke i hequr Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt të drejtën e vetos. Mbetet për t’u parë se si do të zgjidhet kjo çështje, tashmë që pak ditë kanë mbetur nga përfundimi i mandatit të Komisionit të Posaçëm të Reformës. Gjithashtu mbetet për t’u parë nëse kjo marrëveshje do të vlejë për të gjitha ligjet, që kërkojnë 84 vota njësoj si reforma elektorale.

Kërkesa e 3 e opozitës duket se ka marrë zgjidhje në heshtje, pasi kushti që kryetar i grupit parlamentar të PD të njihet Gazment Bardhi e jo Lulzim Basha duket se është respektuar nga socialistët, të cilët deri më tani njohin Bardhi si drejtuesit e grupit të PD.

Prej fillimit të krizës në Parlament, edhe ambasadorët kryesorë të akredituar në Tiranë kanë bërë disa herë përpjekje për të gjetur rrugët e dialogut brenda dy kampeve në parlament. Pasi mazhoranca miratoi ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore që u kundërshtuan ashpër nga opozita, ambasadori britanik Alastair King-Smith zhvilloi një takim me Elisa Spiropalin e Klotilda Bushkën nga PS dhe Gazment Bardhin e Enkelejd Alibeajn në përpjekje për të gjetur rrugën e dialogut e për të kthyer normalitetin në parlament.

Ambasadori i ri i delegacionit të BE gjithashtu ka qenë pjesë e përpjekjeve për dialog mes palëve. Mbetet për t’u parë nëse mazhoranca e opozita do të arrijnë marrëveshjen që kthen normalitetin në Parlament apo bllokimi i seancave do të vazhdojë. Takimi organizuar nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla me përfaqësuesit e grupeve parlamentare ka shqetësuar PD të drejtuar nga Lulzim Basha. Shenjat se shumica po shkon drejt njohjes se grupimit BerishaBardhi i dha edhe ministrja Spiropali në seancën e fundit parlamentare.

“Ejani në Konferencën e Kryetarëve të biem dakord për objektet siç kemi diskutuar vijimësisht për kërkesat tuaja. Ejani në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe sillni propozime përmbajtësore. Besoj jemi shumë afër që të gjejmë një zgjidhje për këtë absurditet”, – tha Spiropali.

Por Enkelejd Alibeaj ka kërkuar sqarime nga PS për negociatat me Gazment Bardhin, duke ngritur dyshime se mazhoranca dhe Grupi Parlamentar i PD po bëjnë pazare për dështimin e Reformës Zgjedhore.