Armenia po e shqyrton mundësinë që të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, tha ministri i Jashtëm, Ararat Mirzoyan
Armenia po synon të krijojë raporte më të ngushta me Perëndimin pas tensioneve me aleaten e saj tradicionale, Rusinë.
“Këto ditë po diskutohen shumë mundësi të reja në Armeni dhe nuk do të jetë sekret nëse them se në to përfshihet edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian”, tha Mirzoyan gjatë një interviste për televizionin turk, TRT World, përcjell REL
Ai këto deklarata i bëri në margjinat e një forumi diplomatik në qytetin turk të Antalisë.
Që kur erdhi në pushtet më 2018, kryeministri armen, Nikol Pashinian, ka thelluar raportet e Armenisë me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara dhe vazhdimisht ka zemëruar aleaten tradicionale, Rusinë.
Jerevani vazhdimisht ka thënë se aleanca e tij me Moskën nuk shtrihet në luftën në Ukrainë, ndërkaq Pashiniani ka akuzuar se Rusia po synon që të minojë Qeverinë e tij.
Armenia po ashtu e akuzon Rusinë se po dështon ta mbrojë atë ndaj rivalit të kamotshëm, Azerbajxhanit, i cili viteve të fundit ka thelluar raportet me Moskën.