Vendosni fjalën kyçe....

Netanyahu më shumë po e dëmton Izraelin sesa e ndihmon – Biden


Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po i bën Izraelit më shumë dëm sesa mirë duke injoruar viktimat civile në Gaza në mes të luftës së vazhdueshme me Hamasin, por kjo nuk do të thotë se Uashingtoni do e ndalojë së mbështeturi shtetin hebre, ka thënë presidenti amerikan Joe Biden.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, të paktën 30.960 njerëz janë vrarë dhe 72.524 të tjerë janë plagosur që nga 7 tetori, kur IDF filloi sulmet e saj në enklavën palestineze në përgjigje të sulmit të papritur të Hamasit në Izrael, në të cilin humbën jetën rreth 1200 njerëz dhe 240 të tjerë u morën peng.

Biden kritikoi përsëri kryeministrin izraelit gjatë një interviste me MSNBC të shtunën mbi mënyrën se si Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kryejnë operacionin në Gaza.

“Ai ka të drejtë të mbrojë Izraelin, të drejtën të vazhdojë të ndjekë Hamasin, por ai duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje jetëve të pafajshme që humbasin si pasojë e veprimeve të ndërmarra”, theksoi presidenti amerikan.

Duke mos e bërë këtë, Netanyahu “po e dëmton më shumë Izraelin sesa po e ndihmon Izraelin. Është në kundërshtim me atë që përfaqëson Izraeli. Mendoj se është një gabim i madh, kështu që dua të shoh një armëpushim”, tha ai.

Armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit duhet të zgjasë gjashtë javë dhe të ketë një shkëmbim “të madh” të të burgosurve, tha Biden, duke shtuar se “nuk duhet të ndodhë asgjë” për sa i përket luftimeve gjatë muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit, i cili fillon të dielën.