Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina dhe aleatët e saj kritikojnë fjalimin e Papa Françeskut për luftën 


Ukraina dhe aleatët e saj rajonalë e kanë kritikuar Papa Françeskun më 10 mars, i cili gjatë një fjalimi sugjeroi se Kievi duhet t’i hapë bisedimet me Moskën dhe e përdori termin “flamuri i bardhë”. Vatikani u mundua më vonë t’i tërheqë disa prej fjalive, duke thënë se Françesku nuk po fliste për “kapitullimin”.

Françesku tha më 9 mars, gjatë një interviste të publikuar pjesërisht, se Ukraina, e cila përballet me një disfatë, duhet ta ketë “guximin” për t’u ulur dhe për të biseduar me Rusinë për paqe, duke thënë se nuk është turp ta valosh “flamurin e bardhë”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e kritikoi Françeskun – pa ia përmendur emrin – duke thënë se “kisha duhet të jetë me popullin. Dhe, jo 2.500 kilometra larg, diku, të ndërmjetësojë virtualisht mes dikujt që dëshiron të jetojë dhe dikujt që dëshiron të të shkatërrojë”.

Më herët, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, reagoi më drejtpërdrejt në rrjetet sociale, duke thënë se “kur bëhet fjalë për ‘flamurin e bardhë’, ne dimë strategjinë e Vatikanit nga pjesa e parë se shekullit XX”.

Shumë historianë e kishin kritikuar Vatikanin gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke thënë se Papa Pius XII heshti gjatë Holokaustit. Vatikani argumenton vazhdimisht se, në atë kohë, nuk ishte në gjendje t’i verifikonte raportimet diplomatike për mizoritë naziste, prandaj nuk i kishte dënuar ato.

Kuleba shkroi në rrjetet sociale: “Bëj thirrje për shmangien e përsëritjes së gabimeve të së kaluarës dhe për mbështetje për Ukrainën dhe popullin e saj në luftën e tyre të drejtë për mbijetesë”.

“Flamuri ynë është verdhekaltër. Me këtë flamur ne jetojmë, vdesim dhe triumfojnë. Ne nuk do të ngremë kurrë të tjerë flamuj”, shtoi ai.

Zelensky ka ngulur këmbë se nuk do të flasë drejtpërdrejt me Rusinë, nëse kushtet e “formulës” së tij për paqe nuk plotësohen.

Kërkesat e Ukrainës për paqe janë që Rusia t’i tërheqë të gjitha trupat e veta nga Ukraina, t’i kthejë kufijtë e vet nga epoka pas rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991, dhe Rusia të mbahet përgjegjëse për veprimet e saj.

Pas kritikave ndaj papës, zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, shpjegoi se, me fjalët e tij për Ukrainën, Françesku pati qëllim të “bëjë thirrje për një armëpushim dhe për kthimin e guximit për bisedime”, dhe se nuk nënkuptoi kapitullim.

Edhe aleatët rajonalë të Ukrainës shprehën zemërim ndaj komenteve të papës.

“Si thoni, sa për baraspeshë, ta nxisim Putinin ta ketë guximin ta tërheqë ushtrinë e tij nga Ukraina? Paqja do të mbizotëronte menjëherë pa pasur nevojë për bisedime”, tha ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski.

Presidenti i Lituanisë, Edgars Rinkevichs, shkroi në rrjetet sociale: “Konkluzioni im për këtë të dielë: Nuk mund të dorëzohesh para të ligës, duhet ta luftosh dhe ta mposhtesh, në mënyrë që e liga ta ngrejë flamurin e bardhë dhe të dorëzohet”.

Alexandra Valkenburg, ambasadore dhe shefe e delegacionit të BE-së në Selinë e Shenjtë, shkroi: “Rusia… mund t’i japë fund kësaj lufte menjëherë duke e respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. BE-ja e mbështet Ukrainën dhe planin e saj për paqe”.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL