Vendosni fjalën kyçe....

Netanyahu i kundërvihet Bidenit: Politikat e mia mbështeten nga shumica e izraelitëve


Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka pohuar se qëllimet e tij për luftën në Gaza mbështeten nga “shumica dërrmuese” e qytetarëve të vendit dhe se presidenti i SHBA Joe Biden ishte “gabim” kur sugjeroi se plani i Izraelit për Gazën po “dëmton vendin”.

Me numrin e të vdekurve nga operacioni i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) në Gaza që kalon 31,000, Biden tha të shtunën se Netanyahu duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje jetëve të pafajshme që po humbasin në enklavën palestineze.

Biden vazhdoi duke thënë se Netanyahu “po e dëmton Izraelin më shumë sesa po ndihmon” dhe se një pushtim i planifikuar izraelit i Rafahut, një qytet në jug të rripit të Gazës ku më shumë se një milion palestinezë kanë kërkuar strehim, do të ishte një “vijë e kuqe” për Uashingtonin.

“Unë nuk e di saktësisht se çfarë donte të thoshte presidenti,” i tha Netanyahu tabloidit gjerman Bild të dielën, “por nëse ai donte të thoshte…që unë po ndjek politika personale kundër dëshirës së shumicës së izraelitëve dhe se kjo po dëmton interesat e Izrael, atëherë ai e ka gabim në të dyja aspektet.”

“Ato janë politika të mbështetura nga shumica dërrmuese e izraelitëve”, vazhdoi Netanyahu. “Izraelitët mbështesin veprimin që ne po ndërmarrim për të shkatërruar batalionet e mbetura terroriste të Hamasit. Ata thonë se sapo të shkatërrojmë Hamasin, gjëja e fundit që duhet të bëjmë është të vendosim në krye të Gazës, Autoritetin Palestinez”, theksoi ai.