Vendosni fjalën kyçe....

Meta intervistë për median turke: Rama dëmtoi marrëdhëniet me Greqinë


Kreu i Partisë së Lirisë Meta ka dhënë një intervistë për median turke “Independent Türkçe”.

Ai nënvizoi se kryeministri Rama ka dëmtuar marrëdhëniet me Greqinë, ka ndërlikuar çështjen e kufirit detar dhe po kështu nuk po tregon vullnet për zgjidhjen e çështjes çame.

Gjatë intervistës Meta preku edhe shpopullimin e vendit, gjë e cila theksoi ai është veçanërisht vendimtare e serioze.

Për sa i përket rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së ai tha se mbështet Procesin e Berlinit dhe është kundër Ballkanit të Hapur.

“Rama ka dëmtuar marrëdhëniet me Greqinë, komplikoi çështjen e kufirit detar dhe nuk ka vullnet për zgjidhjen e çështjes came. Ballkani i Hapur dëmtoi bashkëpunimin rajonal. Mbështes vetëm Procesin e Berlinit. Nga ana ime, unë e shoh Ballkanin e Hapur si një tejkalim diplomatik. Një nismë joreale. Për më tepër, ekziston edhe mungesa e aftësisë për të kuptuar pasojat e mundshme. Procesi i Berlinit është një format tashmë ekzistues i bashkëpunimit dhe integrimit rajonal.” – tha Meta.

Kreu i PL-së shtoi më tej se forca politike që drejton po lufton për të ringjallur proceset e institucionet demokratike përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Meta tha gjithashtu se PL-ja është kundër kapjes së ekonomike nga oligarkët me lidhje me qeverinë si dhe e ka shtyllë kryesore ndalimin e shpopullimit.

“Vlerat thelbësore të Partisë së Lirisë përqendrohen rreth tre shtyllave kryesore. Prioriteti i parë është ringjallja e institucioneve demokratike përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ne duam që të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e vendit. Duke eliminuar sistemin oligarkik në ekonomi, rivendoset rendi i tregut të lirë dhe parimi i barazisë së mundësive. Partia e Lirisë është seriozisht e angazhuar për të përshpejtuar integrimin e vendit në Europë dhe për të forcuar kontributin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s, si faktor paqeje, stabiliteti dhe zhvillimi  në rajon dhe më gjerë. Nëse e organizojmë ekonominë rreth një grushti oligarkësh, nuk mund të kontribuojmë shumë në zhvillimin ekonomik të rajonit. Nëse ne nuk mund të parandalojmë uljen prej 25-30 për qind të popullsisë së vendit në 10 vitet e fundit, do të përjetojmë patjetër një dështim serioz në sigurimin e zhvillimit social për qytetarët tanë.” – shtoi Meta.