Prania ushtarake e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë është e domosdoshme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetin në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor, thuhet në raportin vjetor të NATO-s, të cilin do ta paraqesë të enjten në Bruksel sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg.
Në raport theksohet se për vite të tëra misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, e ka ruajtur një ambient të sigurt dhe lëvizjen e lirë për të gjitha komunitetet në Kosovë, në bashkëpunim me organizatat tjera ndërkombëtare si, Bashkimin Evropian, Kombet e Bashkuara dhe të tjerat.
“Në vitin 2023, KFOR-i luajti rol kyç për të siguruar stabilitet në Kosovë pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës. Pas shpërthimit të dhunës në muajin maj dhe shtator, aleatët dislokuan rreth 1.000 forca rezervë për misionin, që paraqet rritjen më të madhe në një decenieje. Kjo ia ka mundësuar KFOR-it ta trefishojë numrin e patrullimeve dhe ta katërfishojë praninë në veri të Kosovës“, thuhet në raport.
Tensionet në veri të Kosovës filluan të rriten në fund të majit 2023, pasi kryetarët e rinj të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, të shoqëruar nga Policia e Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.
Banorët serbë e kundërshtuan këtë dhe organizuan protesta që kulmuan në dhunë më 29 maj në Zveçan, ku u plagosën dhjetëra demonstrues dhe ushtarë të KFOR-it.
Ato u përshkallëzuan disa muaj më vonë, më 24 shtator, kur Policia e Kosovës u sulmua nga një grup serbësh të armatosur në Banjskë të Zveçanit në veri të vendit, ku mbeti i vrarë një polic dhe tre sulmues.
Si rrjedhojë, NATO-ja e shtoi numrin e ushtarëve të saj në misionin paqeruajtës, KFOR, në Kosovë.
Sipas raportit të së enjtes, tani misioni i KFOR-it i ka 4.700 pjesëtarë në Kosovë, përfshirë edhe forcën rezervë.
Në raportin e tij vjetor, Stoltenberg përmend edhe ndihmën që NATO-ja ia ka ofruar organizatave të sigurisë në Kosovë për ndërtimin e kapaciteteve të tyre, sidomos në fushën e logjistikës, për mbështetje mjekësore, prokurim dhe menaxhim të resurseve njerëzore.
Edhe në këtë raport shprehet mbështetje e NATO-s për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“NATO-ja mbetet e përkushtuar në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian mes Beogradit dhe Prishtinës. Dialogu është platforma kryesore për arritjen e zgjidhjes e cila respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe ndërtimin e paqes së qëndrueshme, që është në dobi të sigurisë së Kosovës dhe stabilitetit të tërë rajonit të Ballkanit Perëndimorë“, thuhet në raport.
Në këtë raport të hollësishëm përmenden aktivitetet kryesore të NATO-s në vitin e fundit, nga angazhimi për ndihmë Ukrainës për t’u përballur me agresionin e Rusisë, rritja e pranisë në krahun lindorë për të siguruar mbrojtjen e territorit të të gjitha vendeve anëtare, rritja e investimeve për forcimin e kapaciteteve ushtarake të aleancës, deri tek angazhimi në misionet, siç është ai i KFOR-it në Kosovë.
NATO-ja prezanton rregullisht raport vjetor për aktivitetet e veta.
Raporti i prezantuar të enjten në Bruksel konsiderohet i fundit i paraqitur nga sekretari i tanishëm Stoltenberg, pasi pritet që së shpejti, mundësisht para samitit në Uashington në korrik, aleatët të pajtohen për emërimin e pasardhësit të Stoltenbergut.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL