Vendosni fjalën kyçe....

Orban gati të “pushtojë” Brukselin për të sjellë ndryshimin e BE-së


Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban ka thënë se ai dhe mbështetësit e tij janë gati të marshojnë drejt Brukselit për të mbrojtur sovranitetin e vendit të tyre brenda BE-së, shkruan Reuters.

Orban e dha paralajmërimin të premten në një fjalim të zjarrtë kushtuar përvjetorit të revolucionit të pasuksesshëm të Hungarisë të vitit 1848 kundër sundimit të Perandorisë Austriake.

“Brukseli nuk është perandoria e parë që i ka hedhur sytë nga Hungaria”, theksoi ai.

Kryeministri konservator i tha një turme prej rreth njëmijë prej mbështetësve të tij se ai është gati të bëjë gjithçka për të mbrojtur Hungarinë nga ato që ai e përshkroi si përpjekje të BE-së për ta “detyruar” vendin në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, për ta bërë atë të pranojë emigrantët dhe të “riedukojë” fëmijët e saj duke u imponuar atyre një axhendë LGBTQ.

Fuqitë në botën perëndimore, pjesë e së cilës është BE-ja, “fillojnë luftëra, shkatërrojnë botë, rivizatojnë kufijtë e vendeve dhe kullotin si karkaleca,” u tha Orban dëgjuesve.

“Ne hungarezët jetojmë ndryshe dhe duam të jetojmë ndryshe,” vuri në dukje ai.

“Nëse duam të mbrojmë lirinë dhe sovranitetin e Hungarisë, nuk kemi zgjidhje tjetër veçse “të pushtojmë” Brukselin”, tha kryeministri.

“Ne do marshojmë deri në Bruksel dhe do të orkestrojmë vetë ndryshimet në BE”.

Orban theksoi se ai dhe mbështetësit e tij janë njerëz me përvojë që e dinë se çfarë duhet bërë për të ristrukturuar siç duhet bllokun, anëtar i të cilit Hungaria është që nga viti 2004. Është koha që udhëheqja e BE-së të “fillojë të dridhet”, tha ai.

Në pushtet prej 14 vjetësh tashmë, Orban po kritikohet nga Brukseli për minimin e pretenduar të sundimit të ligjit, cenimin e lirive të shtypit dhe shtypjen e të drejtave të homoseksualëve. BE-ja i ka bllokuar fonde Hungarisë për vite me radhë për këto dhe çështje të tjera.

Brukseli është gjithashtu i pakënaqur për qëndrimin e Budapestit për sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.