Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka zbuluar se ditën e djeshme ka humbur një fluturim për të një anulimi pa paralajmërim nga Air Albania.
Në një postim në rrjetet sociale, Meta ka ndarë me ndjekësit se një shqetësim i tillë nuk ishte vetëm i tij, por se ka takuar shumë qytetarë që kishin pasur të njëjtat probleme.
Një nga qytetaret i rrëfeu se një gjë e tillë i kishte ndodhur pesë herë.
Meta shkroi se Qeveria duhet të marrë përgjegjësitë e saj përpara qytetarëve në mënyrë transparente, duke lënë pas justifikimet boshe.
Postimi i plotë:
Air Albania nuk duhet të vazhdojë më kështu!
Mbrëmë më qëlloi të humbisja fluturimin nga Stambolli në Tiranë për shkak se Air Albania anulloi fluturimin pa paralajmërim në kohën e duhur!
Jo vetëm kaq por u desh të insistonim bashkë me ish-Ministrin e Jashtëm Prof. Edmond Panaritin që të merrnin përsipër akomodimin në hotel për më tepër që mikpritësit tanë në Baku i kishin paguar biletat tona në business.
Ndërkohë sot ne avion takuam shumë qytetarë të revoltuar se disa prej tyre kishin fjetur në aeroport dhe e kishin rast të përsëritur.
Ndërsa një zonjë që jetonte në Kaliforni edhe pse i kishin zgjidhur akomodimin në hotel tha se kjo ishte hera e pestë që i ndodhte me Air Albania dhe s’kishte më ndërmend ta provonte këtë torturë.
Për mua personalisht është hera e dytë por Qeveria duhet të marrë përgjegjësitë e saj përpara qytetarëve në mënyrë transparente se justifikimet që zogjtë kanë sulmuar motorët nuk shkojnë më.
Ose të paktën t’i ndryshojë emrin kompanisë!