Ritmet e rritjes së çmimeve janë ngadalësuar në shkurt, duke qenë në nivele të njëjta me mesataren e Bashkimit Europian, ndryshe nga muajt e mëparshëm, kur rritja ishte më e shpejtë te ne.
INSTAT ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit në muajin shkurt 2024, i cili ishte 2,8%, njësoj me mesataren e Bashkimit Europian.
Në janar, ky indeks ishte 3.8%, përkundrejt 3.1% në Bashkimin Europian.
Sipas INSTAT, rritja më e madhe e çmimeve prej 6,0 % vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 4,1 %, “Shërbimi arsimor” me 4,0 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,8 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,7 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,4 %, “Veshje dhe këpucë” me 2,9 %, “Shëndeti” me 2,6 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,4 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,8 % dhe “Komunikimi” me 0,3 %. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 1,2 %.
Në muajin shkurt 2024, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,3 %.
Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupeve “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Shëndeti” me 0,7 % secila, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,6 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,4 %, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,1 % secila. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 0,1 %.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor