Kina është e përfshirë në një fushatë mbarëbotërore të krimit kibernetik dhe ekspertët kryesorë besojnë se Shtetet e Bashkuara nuk po reagojnë me shpejtësinë e duhur për t’iu kundërvënë kërcënimit.
“Në epokën e tanishme të kibernetikës, gjithçka ka të bëjë me shpejtësinë,” i tha The Epoch Times Koloneli në pension i ushtrisë John Mills.
“Duhet të supozoni një shkelje dhe se kërcënimi është tashmë brenda. Duke e parë këtë nga ky këndvështrim, gjithçka ka të bëjë me shpejtësinë e identifikimit, shpejtësinë e nxjerrjes jashtë të kërcënimit. Qeveria amerikane nuk është e mirë për këtë.”
Të gjitha shenjat tregojnë se qeveria kineze dhe përfaqësuesit e saj janë të përfshirë në një fushatë të fuqishme globale të krimit kibernetik që synon të destabilizojë armiqtë e vendit dhe të pozicionohet për një luftë të mundshme me Shtetet e Bashkuara.
“Ky është një kërcënim i jashtëzakonshëm,” tha Mills, i cili më parë ka shërbyer si drejtor i politikës, strategjisë dhe çështjeve ndërkombëtare të sigurisë kibernetike në Departamentin e Mbrojtjes.
Një sasi dokumentesh të zbuluara që u shfaqën në fund të shkurtit implikuan përfshirjen e drejtpërdrejtë të Pekinit në spiunazhin kibernetik jashtë shtetit.
Dokumentet i përkisnin një grupi kriminal të hakerëve të quajtur I-Soon, i cili maskohet si një biznes i ligjshëm në Kinë, me sa duket me bekimin e shtetit.
Dosjet e zbuluara zbuluan infiltrimin e grupit në departamentet qeveritare në Indi, Korenë e Jugut, Tajlandë, Vietnam dhe Korenë e Jugut, si dhe në organizatat e NATO-s.
Dosjet përfshinin manualet e produktit, materialet e marketingut, listat e punonjësve, të dhënat e bisedave, informacionin financiar dhe hollëitë rreth përpjekjeve të infiltrimit të huaj.
Disa nga dokumentet që u verifikuan nga Associated Press tregojnë se shumica e klientëve të grupit janë të vendosur brenda zyrave rajonale të sigurisë të Kinës dhe Ministrisë së Sigurisë Publike.
Koloneli në pension Mills tha se zbulimi ishte “i parashikueshëm” dhe se autoritetet kineze kanë një histori të gjatë të kryerjes së detyrave të paligjshme përveç detyrave të tyre formale.
“Patia Komuniste e Kinës dhe qeveria, që janë e njëjta gjë, e dinin se këta njerëz bënin këtov eprime. Kjo është pjesë e kulturës së korrupsionit në Kinë”, tha Mills.
Rrjedhjet e I-Soon u shfaqën mes një stuhie më të gjerë të aktivitetit kibernetik të mbështetur nga Kina, në të cilin ajo depërtoi me sukses si në infrastrukturën e rëndësishme të SHBA-së, ashtu edhe në Ministrinë e Mbrojtjes së Holandës.
‘Volt Typhoon’, një virus i përdorur për të depërtuar në sistemet amerikane e për të goditur infrastrukturën e rëndësishme, u zbulua vitin e kaluar, pasi ishte vendosur si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për t’u parapozicionuar për një konflikt ushtarak. Virusi kërcënoi gjithashtu sigurinë fizike të amerikanëve duke synuar sistemet e kontrollit të furnizimit të ujit, energjisë, hekurudhave, linjave ajrore dhe porteve, sipas drejtuesve të inteligjencës.
Casey Fleming, kreu i firmës këshillimore për rrezikun ‘BlackOps Partners’, tha se nisma e ‘Volt Typhoon’ ishte pjesë e strategjisë së Kinës për një luftë të pakufizuar përmes së cilës synon të sigurojë përparësinë ushtarake ndaj Shteteve të Bashkuara përmes mjeteve joushtarake.
“Kina është tejet e përqendruar në dobësimin e SHBA-së nga të gjitha këndvështrimet për të fituar luftën pa luftuar,” tha Fleming për The Epoch Times.
“Kjo është pamja si duket Lufta e Tretë Botërore. Është shpejtësia e teknologjisë, fshehtësia e luftës së pakufizuar dhe pa rregulla.”
Mjete spiunimi të prodhuara në Kinë
Rrjedhjet më të fundit të I-Soon hedhin dritë gjithashtu mbi mjetet që kriminelët kibernetikë kinezë po përdorin për të depërtuar, minuar dhe shfrytëzuar rivalët e vendit.
Shërbimet e tij përfshinin një mjet për infiltrimin e llogarive të përdoruesve në platformën e mediave sociale X, duke përfshirë mundësinë për të hyrë në numrat e telefonit, llogaritë e postës elektronike, mesazhet personale dhe aktivitetin në kohë reale edhe nëse përdoruesit kanë aktivizuar vërtetimin e sigurisë me dy kode sigurie.
Po kështu, I-Soon shiti qasje në një grup të personalizuar virusesh me qasje në largësi – virus i aftë për të infektuar pajisjet Android, IOS dhe Ëindoës – të cilat ndonjëherë mund të ndryshojnë dosjet e regjistrit dhe të mbledhin të dhëna GPS, kontakte, fotografi, video, regjistrime audio në kohë të bisedave.
Versioni Android i virusit gjithashtu kishte aftësinë për të marrë të gjitha mesazhet e ruajtura në aplikacionet kryesore kineze duke përfshirë QQ, WeChat dhe Momo.
Veçanërisht, dokumentet I-Soon zbuluan gjithashtu ekzistencën e pajisjeve portative për “sulmimin e rrjeteve nga brenda”, duke përfshirë mundësitë për të futur viruse në bateritë e celularëve, shiritat e energjisë dhe bordet e qarkut.
Mjete të ngjashme mund të pajisen me pajisje speciale për operativët që punojnë jashtë vendit për të vendosur komunikim të sigurt me Kinën kontinentale.
Koloneli Mills tha se Pekini po shfrytëzon përparësinë në fushën e prodhimit për të arritur dominimin në hapësirën kibernetike. Hakerët me bazë në Kinë po përdorin dobësitë e prodhimit në vende të tjera në mënyrën se si pajisjet lidhen dhe ndajnë të dhënat me njëra-tjetrën.
Dhe duke kontrabanduar viruse në Shtetet e Bashkuara me mallra të prodhuara nga Kina, tha ai, pajisje të tilla mund të përdoren për të depërtuar në infrastrukturën më jetike të Shteteve të Bashkuara, siç ishte krijuar për t’u përdorur virusi i ‘Volt Typhoon’.
Mills tha se shumëllojshmëria e madhe e sistemeve të përdorura nga infrastruktura të ndryshme në Shtetet e Bashkuara e bën shumë të vështirë për qeverinë amerikane të zhvillojë zgjidhje efektive për infiltrimin kinez.
“Interneti dhe infrastruktura jetike. Kjo është ende një zonë shumë poroze, e cenueshme,” tha Mills.
“Ka shumë sisteme të kontrollit industrial dhe infrastructure jetike. Ka shumë programe dhe gjuhë të panjohura softuerike që thjesht nuk kuptohen mirë. Është shumë e përshtatur dhe e personalizuar, Është joefikase dhe e shtrenjt, dhe ky është realiteti i infrastrukturës kritike.”
Ka disa të dhëna se administrata Biden ka filluar të trajtojë çështjen e teknologjisë me origjinë nga Kina.
Departamenti i Tregtisë njoftoi më 29 shkurt se synon të hetojë dhe propozojë rregulla në lidhje me automjetet me teknologji të prodhuar në Kinë.
“Nuk duhet shumë përfytyrim për të menduar se si qeveria e huaj me qasje në automjetet që përdorin teknologjinë e zgjuar mund të përbëjë një rrezik serioz si për sigurinë tonë kombëtare ashtu edhe për privatësinë personale të qytetarëve amerikanë,” tha Sekretarja e Tregtisë Gina Raimondo në një deklaratë për shtyp.
“Ne duhet të kuptojmë shtrirjen e teknologjisë në këto makina që mund të kapin zona të gjera të të dhënave ose të çaktivizojnë ose manipulojnë nga largësia automjetet e lidhura me to.”
Çdo rregull për të mbrojtur të dhënat e automjeteve të amerikanëve ka të ngjarë të marrë shumë kohë për t’u zbatuar dhe do trajtonte vetëm një aspekt të vogël të aparatit të spiunazhit kibernetik të Kinës.
Për të zbutur realisht rrezikun e krijuar nga teknologjitë e zhvilluara në Kinë, tha Mills, ripërtëritja e teknologjive jetike është e domosdoshme.
“Nëse doni të zvogëloni kërcënimin kinez, filloni t’i bëni gjërat këtu,” tha ai.
“Kjo do zgjidhë 80 për qind të problemit.”
Një tjetër aspekt kyç i strategjisë së SHBA-së, tha ai, duhet të jetë gjetja dhe zbulimi i vazhdueshëm i aktorëve të kërcënimit që përdor Kina në skenën globale.
Ai tha se pirateria e mbështetur nga Kina në Detin e Kinës Jugore në vitet 1990 u lehtësua pjesërisht nga një përpjekje e vazhdueshme për të ekspozuar ata që mbështesin industrinë.
“Gjithçka vazhdon derisa të publikohen”, tha z. Mills.
“Dhe pastaj është e mahnitshme se si njerëzit thjesht zhduken dhe pirateria ndalon.”
Muaj për t’u përgjigjur
Mills tha se ‘Volt Typhoon’ dukej se ishte një përpjekje e qartë për të parapozicionuar viruse që mund të gjymtojnë sistemet amerikane në rast të një lufte në Paqësorin perëndimor, siç është një pushtim i Tajvanit.
“Kjo është paravendosje e virusit që mund të ndizet në rast konflikti dhe mund të prishë shumë gjëra,” tha ai.
Megjithëse komuniteti i inteligjencës zhduku ‘Volt Typhoon’ nga rreth 600 ruterë të lidhur me infrastrukturën jetike në dhjetor dhe janar, virusi vazhdon në një numër të panjohur pajisjesh civile.
Ndoshta më shqetësuesja nga të gjitha është se zyrtarët amerikanë po pranojnë tani se virusi mund të jetë futur qysh pesë vjet më parë, megjithëse ata e pranuan për herë të parë publikisht në maj të vitit të kaluar.
Kjo përgjigje e dobët, tha Mills, ishte kryesisht për shkak të burokracisë së rëndë të Shteteve të Bashkuara.
“Duhen gjashtë muaj deri në një vit që qeveria amerikane të vlerësojë, kuptojë dhe përgjigjet me të vërtetë ndaj këtyre shkeljeve,” tha ai.
Për këtë qëllim, ai tha se Shtetet e Bashkuara do duhet të përfshihen për përdorimin e elementeve jo-kibernetike të fuqisë kombëtare për të bërë presion ndaj Kinës dhe për të vënë Pekinin në rrezik me qëllim që të pengojnë agresionin e ardhshëm.
“Ju i keni të gjitha këto instrumente të pushtetit. Nëse dëshironi që Kina të ndalojë depërtimin në sistemet tona, atëherë shtrydhni financat e saj, shtrydhni ekonominë e saj dhe është e mahnitshme ajo që do ndodhë”, tha ai.
“Letargjia e qeverisë amerikane në reagimin ndaj këtyre gjërave është e dhimbshme dhe e turpshm”, i shtoi Koloneli në pension.
VINI RE: Ky material është pronësi inteletuale e The Epoch Times
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani