Vendosni fjalën kyçe....

Bolivia sekuestron 7.2 ton kokainë të destinuar për Belgjikën


Policia boliviane ka sekuestruar një sasi të madhe droge, më shumë se 7.2 ton kokainë të destinuar për në Belgjikë me një vlerë rruge prej gati gjysmë miliardë dollarë amerikanë, raporton Reuters.

Operacioni u krye në rajonin malor të Bolivisë, Pisiga, në kufi me Kilin. Droga ishte fshehur në dy kamionë që transportonin skrap hekuri për eksport në Evropë përmes porteve kiliane në Paqësor.

“Nëse marrim parasysh çmimin e këtyre substancave të kontrolluara në vendin e destinacionit, ne po flasim për një ndikim në trafikun e drogës prej më shumë se 451 milionë dollarësh”, tha Ministri i Brendshëm Eduardo del Castillo në një konferencë për shtyp.

Del Castillo raportoi se shitësi i drogës ishte arratisur nga vendi në Shtetet e Bashkuara. Në janar, policia boliviane kreu operacionin më të madh antidrogë në vend duke sekuestruar më shumë se 8 ton kokainë, gjithashtu në kufirin me Kilin.

Bolivia është një nga prodhuesit kryesorë në botë të lëndës së papërpunuar që përdoret për të bërë kokainën.