Vendosni fjalën kyçe....

Zia e bukës pllakos Gazën, fëmijët e uritur mbushin repartet e spitaleve


Gjashtë vjeçari Fadi al-Zant është i kequshqyer shumë, brinjët e tij të dala nën lëkurën e hollë, sytë e tij të mbytur ndërsa shtrihet në shtrat në spitalin ‘Kamal Adwan’ në Gazën veriore, ku uria është ulur këmbëkryq.

Fotografitë e të miturit nga para luftës tregojnë një fëmijë të buzëqeshur, me pamje të shëndetshme, duke qëndruar me xhinse blu pranë binjakut të tij më të gjatë me flokët e krehur. Një videoklip i shkurtër e tregon atë duke kërcyer në një dasmë me një vajzë të vogël.

Fadi vuan nga fibroza cistike. Përpara konfliktit, ai merrte ilaçe që familja e tij tani nuk mund t’i gjejë më dhe hante një shumëllojshmëri ushqimesh që tani nuk janë më disponueshme në enklavën palestineze, sipas nënës së tij Shimaa al-Zant.

“Gjendja e tij po përkeqësohet. Ai po dobësohet. Ai vazhdon të humbasë aftësinë e tij për të bërë gjëra,” tha ajo në një video të siguruar nga Reuters.

“Ai nuk mund të qëndrojë më në këmbë. Kur e ndihmoj të ngrihet, ai bie menjëherë.”

Më shumë se pesë muaj pas fushatës tokësore dhe ajrore të Izraelit, e nisur në përgjigje të sulmit të Hamasit të 7 tetorit, ka mungesë të madhe të ushqimit, ilaçeve dhe ujit të pastër në Gaza, thonë mjekët dhe agjencitë e ndihmës.

Spitali ‘Kamal Adwan’, që kujdeset për Fadin, kishte trajtuar gjithashtu shumicën e 27 fëmijëve që Ministria e Shëndetësisë në Gazan e drejtuar nga Hamasi thotë se kanë vdekur nga kequshqyerja dhe dehidratimi javët e fundit.

Të tjerë vdiqën në spitalin ‘Al-Shifa’ të qytetit të Gazës, gjithashtu në veri, tha ministria, dhe në qytetin më jugor të Rafahut, ku agjencia e ndihmës e OKB-së thotë se mbi 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga ofensiva e Izraelit.

Reuters pa 10 fëmijë të kequshqyer keq gjatë një vizite javën e kaluar në qendrën shëndetësore al-Aëda në Rafah. Reuters nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur vdekjet e raportuara nga ministria.

Pa veprime të menjëhershme, zia e bukës do godasë nga tani deri në maj në Gazën veriore, ku 300,000 njerëz janë bllokuar nga luftimet, tha në një rishikim mbikëqyrësi i organizatës IPC.

Skenari më i mundshëm i organizatës tha se “nivelet jashtëzakonisht kritike të kequshqyerjes akute dhe vdekshmërisë” ishin të pashmangshme për më shumë se dy të tretat e njerëzve në veri. IPC përbëhet nga agjenci të OKB-së dhe grupe globale të ndihmës.

COGAT i Izraelit, organi ushtarak që merret me transferimin e ndihmave në Gaza, nuk iu përgjigj në mënyrë specifike pyetjeve të Reuters në lidhje me vdekjet e fëmijëve nga uria dhe dehidratimi. Ai tha se Izraeli nuk vendosi kufizime në sasinë e ndihmës që mund të hyjë.

Pas rishikimit të IPC, zëdhënësi i qeverisë izraelite Eylon Levy postoi në X se numri i kamionëve me ushqime ishte rritur në mars dhe se Izraeli po merrte masa për të forcuar “përpjekjet për dërgimin” në veri.

Në përgjigje të një pyetjeje nga Reuters në lidhje me raportin e IPC, zyrtari i lartë i Hamasit Sami Abu Zuhri tha se kryeministri i Izraelit Binyamin Netenyahu “po sfidonte botën dhe po vriste popullin palestinez në Gaza me bomba dhe uri”.

Autoritetet amerikane nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.

Agjencitë e OKB-së kanë thënë se “pengesat” për lëvizjen e ndihmave në veri të Gazës do kapërcehen vetëm me një armëpushim dhe hapjen e pikave kufitare të mbyllura nga Izraeli pas 7 tetorit.