Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken kthehet të mërkurën në Lindjen e Mesme për vizitën e tij të gjashtë që nga fillimi i luftës së Izraelit me Hamasin për të nxitur një marrëveshje që do siguronte një armëpushim të përkohshëm dhe lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
Blinken do takohet me krerët sauditë në Jeddah dhe krerët egjiptianë në Kajro për të diskutuar bisedimet e ndërmjetësuara nga Egjipti dhe Katari mbi një marrëveshje të mundshme, si dhe përpjekjet për të marrë më shumë ndihmë në Gaza, tha në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Bisedimet për një armëpushim po rifillojnë këtë javë në Katar, por javët e negociatave të vështira ende nuk kanë arritur një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit që Uashingtoni shpreson se do të ndihmojë në zbutjen e krizës humanitare që ka kapluar Gazën.
“Ne kemi bërë shumë punë që nga janari, veçanërisht me partnerët tanë arabë, dhe do diskutojmë se cila është arkitektura e duhur për paqen e qëndrueshme rajonale,” tha Blinken në një konferencë shtypi gjatë në një ndalesë të mëparshme në Manila.
Lufta u shkaktua pasi luftëtarët e Hamasit kaluan në Izrael në një sulm më 7 tetor, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke kapur 253 pengje, sipas të dhënave izraelite.
Gati 32,000 njerëz janë konfirmuar të vrarë në sulmet hakmarrëse të Izraelit, sipas zyrtarëve palestinezë shëndetësorë në Gazën e drejtuar nga Hamasi, me mijëra të tjerë që dyshohet se kanë humbur nën rrënoja.
Blinken nuk ka planifikuar të vizitojë Izraelin në këtë udhëtim, pavarësisht vizitave të shumta në aleatin e SHBA-së në lëvizjet e tij të mëparshme rajonale që nga 7 tetori.
Tensionet janë rritur midis administratës së presidentit amerikan Joe Biden dhe qeverisë së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili të martën kundërshtoi lutjen e Biden për të anuluar një sulm të planifikuar tokësor në qytetin jugor të Gazës, Rafah, ku janë strehuar më shumë se një milion palestinezë të zhvendosur.