Vendosni fjalën kyçe....

Pronari suedez fiton betejën gjyqësore me gjeologët për të mbajtur meteoritin që ra në tokën e tij


Një pronar tokash suedez ka fituar një betejë ligjore për të mbajtur një meteorit 14 kg (31 lb), pasi një gjykatë apeli vendosi që shkëmbinj të tillë duhet të konsiderohen si “pronë e paluajtshme” dhe pjesë e tokës ku gjenden.

Toka në të cilën ka rënë meteori përmban hekur, nga i cili është bërë meteori. Prandaj, “nuk mund të ndahet lehtë nga ajo që zakonisht konsiderohet si pronë (e paluajtshme)”, vendosi të enjten gjykata e apelit Svea, përcjell The Guardian.

Më 7 nëntor 2020 një meteorit hekuri ra në pronën private në Uppland, në veri të Stokholmit. Në dhjetor të atij viti dy gjeologë e gjetën dhe përfundimisht ia dorëzuan Muzeut Suedez të Historisë Natyrore në kryeqytetin suedez.

Agjencia suedeze e lajmeve TT tha se pronari i tokës private ku u gjet, Johan Benzelstierna von Engeström, apeloi kundër një vendimi të dhjetorit 2022 nga gjykata e qarkut Uppsala. Ky vendim u dha gjetësve të shkëmbit, Andreas Forsberg dhe Anders Zetterqvist, të drejtën për gurin sepse meteori nuk ishte pjesë e pronës dhe ishte një pronë e luajtshme pa pronar.

Të enjten, gjykata e apelit tha se meteori i hekurit “përbëhet nga substanca që janë tashmë të pranishme në sipërfaqen e Tokës”. Gjykatësi Robert Green tha se meteoritët ose shkëmbinjtë hapësinorë duhet të konsiderohen “pjesë e pronës së paluajtshme ashtu si gurët e tjerë, edhe pse mund të duket intuitivisht sikur është diçka e huaj për Tokën”.

Një ligj suedez i njohur si “allemansraetten” mund t’i japë të gjithëve lirinë për të bredhur lirisht në Suedi me kusht që të respektohet natyra dhe kafshët, por “nuk i jep askujt të drejtën të marrë një meteorit nga toka e dikujt tjetër”, tha gjykata.

Gjetësit gjithashtu kishin pohuar se kishte një marrëveshje që i lejonte ata të merrnin meteoritin. Megjithatë, gjykata e apelit tha se nuk kishte prova për një marrëveshje të tillë. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse gjeologët do të apelonin në gjykatën supreme të Suedisë.