Presidenti Bajram Begaj i ka dërguar një mesazh mbështetje Princeshës së Uellsit, Kate Middleton, pasi ajo zbuloi se ishte diagnostikuar me kancer.
Begaj, në një postim në X, i uroi shërim të shprejtë dhe të plotë, duke shtuar se “shpresojmë ta kalojë këtë sfidë me forcën që e karakterizon”.
“Lutje të sinqerta për një shërim të shpejtë dhe të plotë për Princeshën Kate—shpresojmë ta kalojë këtë sfidë me forcën që e karakterizon,” shkroi Kreu i Shtetit.
Princesha e Uellsit, Kate Middleton dha ditën e djeshme (22 mars) lajmin e trishtë se vuan nga kanceri.
Në një video emocionuese, bashkëshortja e Princit William tregoi detaje nga gjendja e saj shëndetësore, por edhe trishtimin që po kalon e gjitha familja.
Ajo tha gjithashtu se luftën me të cilën po përballet ia kishte treguar edhe fëmijëve të saj George, 10 vjeç, Charlotte, 8 vjeçe dhe 5-vjeçarin Louis.
“Për të gjithë ata që përballen me këtë sëmundje, në çfarëdo forme qofshin, ju lutemi mos e humbni besimin apo shpresën. Nuk jeni vetëm.
William dhe unë kemi bërë gjithçka që mundemi për ta përpunuar dhe menaxhuar këtë privatisht për hir të familjes sonë të re. Na ka marrë kohë për t’i shpjeguar gjithçka George, Charlotte dhe Louis në një mënyrë që është e përshtatshme për ta dhe për t’i siguruar ata se do të jem mirë.
Të kesh William pranë meje është gjithashtu një burim i madh ngushëllimi dhe sigurie. Siç është dashuria, mbështetja dhe mirësia që është treguar nga shumë prej jush. Do të thotë shumë për ne të dy. Shpresojmë se do ta kuptoni se si familje, tani kemi nevojë për pak kohë, hapësirë dhe privatësi derisa të përfundoj trajtimin tim”, tha Princesha Kate.