Genc Gjokutaj, avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, ka reaguar pas vendimit të Apelit të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), që e ndalon Berishën nga pjesëmarrja në seancat plenare të parlamentit.
Gjatë një deklarate për media, Gjokutaj kritikoi vendimin, duke e quajtur një veprim me regji dhe akuzoi Apelin për shkelje të Kushtetutës së vendit.
Avokati theksoi se vendimi i Apelit i përjashton Berishën nga pjesëmarrja në aktivitetet parlamentare, duke e cilësuar këtë si një veprim arbitrar dhe jo në përputhje me ligjin.
Gjokutaj vazhdoi duke theksuar se Berisha do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e tij ligjore dhe do të kërkojë drejtësi në këtë çështje.
“Ky vendim i sotëm vendosi rrëzimin e kërkesës sonë. Sot u vërtetua shkelmimi i Kushtetuës edhe nga Apeli. Këta janë sy që nuk shikojnë dhe veshë që nuk dëgjojnë, me regji. Duam që të lirohet Berisha, sepse nuk ka akuzë dhe nuk ka prova. Këta kanë vënë trupat e tyre për ta mbajtur në këmbë sistemin. Kjo gjykatë me vendimin e saj e largoi veten nga ligji dhe Kushtetuta. Nuk pranon SPAK as ekspertizat, asgjë. Kjo është çartje dhe lajthitje”, u shpreh Gjokutaj.