Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata lë në ‘arrest me burg’ Jorgo Goron


GJKKO lë në burg kryetarin në detyrë të Himarës, Jorgo Goro. Në fuqi u lanë të gjitha masat e sigurisë vetëm ajo ndaj ish kreut të Kadastrës, ndaj të cilit u ndryshua masa e sigurisë në detyrim me paraqitje.

 Me pranga në duar kryebashkiaku në detyrë i Himarës u shoqërua paraditen e sotme nga blloku i sigurisë në Tiranë në GJKKO ku iu verifikua masa e sigurisë. Report TV ka arritur të sigurojë videon e momentit të shoqërimit brenda Gjykatës së Posaçme por dhe brenda kafazit ku qëndrojnë të arrestuarit.

Ai akuzohet për ‘shpërdorim detyre në dy raste.  Kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro u arrestua të shtunën e 23 marsit 2024 me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme. Po në këtë seancë do verifikohen edhe masat e sigurisë për 4 të akuzuarit e tjerë, dy prej tyre ende në kërkim.

Ndërkohë në GJKKO u paraqit ish kreu i kadastrës Vlorë Bilbil Aliaj dhe ish-juristi në këtë institucion, Vezir Gjikoka.

Kryebashkiaku në detyrë, Goro u prangos pasi po hetohet me dyshime se ka shpërdoruar detyrën në dy raste, duke tjetërsuar dy prona në Dhërmi, me një siperfaqe në total prej 10592 m2, ku përfitues fundor i truallit ka qenë biznesmeni Artan Gaçi, ish deputet i PS.

Në rastin e parë, sipas SPAK, Goro bashkë me Drejtorin e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki, Jerasimo Bashi, kanë përcjellë tek institucione të tjera dokumente të falsifikuara për një pronë mbi 5 500 metër katrorë në Dhërmi, pa kryer verifikime, duke çuar në regjistrimin e pronës shtet në favor të privatit.

Pas regjistrimit të pasurisë në emër të trashëgimtarëve, Stavri e Foto Mëhilli, është vijuar me transaksionet të cilat kanë konkluduar në regjistrimin e pronës në emër të shoqërisë private me përfaqësues Artan Gacin.

Në episodin e dytë një pronë bujqësore prej 5080 m2, Jorgo Goro në bashkëpunim me vartësin e tij, Jerasimo Bashi, e ka kthyer pronë shtet, ku më pas janë kryer transaksione. Në kufi me këtë sipërfaqe toke, sipërmarrësi privat, Artan Gaçi, ish- deputet i PS- së, i kishte blerë tokën me dokumente të falsifikuara Stavri Mëhillit. Sipërfaqja e tokës më pas është bashkuar në një të vetme dhe pas kësaj shoqëria tregtare e drejtuar prej Artan Gaçit merr leje ndërtimi për një kompleks turistik, i cili do të ndërtohet në të dyja sipërfaqet e tokës, në total (10.592 m2).

Ndërkohë në “arrest shtëpie” janë lënë ish-drejtori i ASHK Vlorë, Bilbil Aliaj dhe ish-juristi në këtë institucion, Vezir Gjikoka. Masat e sigurisë, u ekzekutuan këtë të shtunë për dy të fundit dhe Jorgo Goron, teksa ish-zyrtari i Bashkisë, Jerasimo Bashi dhe shtetasi Stavri Mëhilli u shpallën në kërkim.

 

Në hetim

Jorgo Goro – me detyrë Kryetar i Bashkisë Himarë, masa e sigurisë ‘Arrest me Burg” si i dyshuar për kryerjen e veprës penale  “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim- I Arrestuar

Jerasimo Bashi – me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bashkia Himarë, masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim – Ne kerkim

Bilbil Aliaj – me detyrë Drejtor i ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), masa “Arrest në shtëpi” si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim – Vendimi u ekzekutua

Vezir Gjikoka – me detyrë Jurist pranë ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), masa “Arrest në shtëpi” si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim – Vendimi u ekzekutua

Stavri Mëhilli – i është caktuar masa “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave, ose i formularëve”, më shumë se një herë – Ne kerkim